Shënimi i Muajit Global të Karrierës 2025 në Universitetin e Prishtinës „Orientim në Epokën e Ndryshimeve: Udhëheqja e të Rinjve Drejt Karrierave të së Ardhmes”
Më 25 nëntor 2025 në Sallën Ovale të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u zhvillua aktiviteti qendror akademik dhe informues në kuadër të Muajit Global të Karrierave 2025, një nisme ndërkombëtare të koordinuar nga IAG WGCG dhe të promovuar në universitetet dhe institucionet arsimore në mbarë botën.
Ngjarja, e organizuar nga Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik, mblodhi përfaqësues institucionalë, akademikë, studentë dhe përfaqësues të tregut të punës me qëllim forcimin e rolit të orientimit profesional për të rinjtë, në një epokë të ndryshimeve të shpejta socio-ekonomike dhe teknologjike.
Sesioni kryesor me temën „Orientim në Epokën e Ndryshimeve: Udhëheqja e të Rinjve Drejt Karrierave të së Ardhmes” u fokusua në rëndësinë e orientimit profesional dhe zhvillimit të aftësive të karrierës. Diskutimet theksuan nevojën për politika të qëndrueshme që mbështesin tranzicionin nga arsimi në punësim dhe trajtuan mundësitë dhe sfidat globale për të rinjtë në kohën e transformimeve të gjelbra dhe digjitale. Ngjarja gjithashtu synoi të pozicionojë Universitetin e Prishtinës si shembull të qasjeve moderne evropiane në lidhjen ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës, në përputhje me Agjendën Evropiane për Aftësitë dhe iniciativën Youth Guarantee.
Aktiviteti u hap me një fjalë përshëndetëse nga prof. dr. Majlinda Gjelaj, prorektore për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore. „Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar të krijojë ura të forta mes arsimit dhe tregut të punës. Përmes nismave të tilla, ne synojmë t’i pajisim studentët tanë me njohuri, shkathtësi dhe orientim të duhur për të përballuar sfidat e karrierave të së ardhmes”, tha Gjelaj.
Shkumbin Tafilaj, udhëheqës i Divizionit për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë (u.d.), theksoi rëndësinë strategjike të fuqizimit të mekanizmave institucionalë që mbështesin zhvillimin e karrierës së studentëve dhe të rinjve, duke e pozicionuar Universitetin e Prishtinës si qendër lidershipi në harmonizimin e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës.
Prof. assoc. dr. Liridona Jemini-Gashi mbajti prezantimin hyrës me temën “Career Guidance in Kosovo and the Role of UP in Career Development”, duke nënvizuar rolin qendror të Universitetit të Prishtinës në zhvillimin e politikave institucionale për orientim në karrierë dhe rëndësinë e bashkëpunimeve me partnerë ndërkombëtarë si European Training Foundation (ETF) dhe Career Lead. Në këtë kontekst, prof. assoc. dr. Liridona Jemini-Gashi ka luajtur një rol thelbësor në pozicionimin strategjik të Universitetit të Prishtinës brenda këtyre rrjeteve ndërkombëtare, me anë të kontributit të saj akademik, angazhimit kërkimor dhe pjesëmarrjes aktive në zhvillimin e kornizave bashkëpunuese që e forcojnë profilin e UP-së në fushën e orientimit në karrierë.
Aktiviteti përfshiu video-mesazhe nga partnerët evropianë si Florian Kadletz nga European Training Foundation (ETF), dhe Rudolf Schröder nga Rrjeti Shkencor Ndërkombëtar Career Lead. Mesazhet e tyre nënvizuan përkushtimin për mbështetjen e Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës në ngritjen e sistemeve moderne të orientimit profesional dhe zhvillimit të aftësive të qëndrueshme.
Diskutimet u pasuruan nga perspektiva të ndryshme rinore dhe akademike, ku z. Ditjon Fetahu nga Këshilli Rinor i Kosovës trajtoi sfidat dhe pritshmëritë e të rinjve në tregun e punës, ndërsa Besiana Muzlija nga Klubi “PharmaSphere” prezantoi praktikat inovative të studentëve të mjekësisë për zhvillimin e kompetencave profesionale. Kontributet akademike u plotësuan nga prof. dr Elmedina Nikoçeviq-Kurti, e cila theksoi nevojën për zhvillimin e kapaciteteve të mësimdhënësve për karrierat e së ardhmes, si dhe nga ass. dr. Kaltrina Jusufi dhe ass. dr. Arbnore Ibrahimaj-Gashi, të cilat ndanë qasje ndërdisiplinore dhe praktike të fakulteteve përkatëse në përgatitjen e studentëve për tregun modern dhe global të punës.
Ngjarja synoi të forconte lidhjen mes arsimit të lartë dhe tregut të punës, duke promovuar bashkëpunimet me partnerë ndërkombëtarë si European Training Foundation (ETF) dhe Career Lead si shembuj të mirë evropianë, si dhe të nxisë diskutime mbi zhvillimin e aftësive për orientim profesional gjatë tranzicionit arsim-punësim, duke kontribuar në formulimin e rekomandimeve për politika të qëndrueshme institucionale dhe kombëtare në fushën e udhëzimit në karrierë.
Aktiviteti mbylli me sukses këtë edicion të pjesëmarrjes së Universitetit të Prishtinës në Muajin Global të Karrierave, duke afirmuar rolin e tij si institucion lider në avancimin e politikave të zhvillimit të karrierës në vend dhe rajon.