Senati vlerëson të kaluarën dhe përgatit të ardhmen e ndritshme të UP-së
Në mbledhjen e 21-të të Senatit të UP-së, të zhvilluar tëmërkurën e 29 tetorit 2025, u vendos asociimi i mjekut onkolog dhe profesorit të Universitetit Shtetëror të Ohajos, prof. Dukagjin Blakajt me Universitetin e Prishtinës si dhe u diskutua edhe se si të nderohet kontributi jetësor i ish-rektorit Ejup Statovci dhe ish-profesorit Eshref Ademaj.
Blakaj është profesori i dytë, pas Gëzim Visokës që asociiohetme Universitetin e Prishtinës, në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025.
Ai do të punojë me orar të pjesshëm në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa është bashkautor i një libri, dy kapitujve të librave dhe qindra punimeve shkencore nga fushat e përballjes me sëmundjen e kancerit.
Senatorët në mbledhjen e sotme diskutuan edhe për gjetjen e mënyrës më të mirë të nderimit të ish-rektorit të UP-së, Ejup Statovci dhe ish-profesorit, Eshref Ademaj, të dy me kontribut të jashtëzakonshëm në periudhën e aparteidit të viteve ’90 kur studentët u larguan nga objektet universitare dhe mësimi u organizua nëpër shtëpitë-shkolla.
Në mbledhje u miratuan propozimet për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në disa fakultete të UP-sëdhe u treguan rezultatet e thirrjes plotësuese publike për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm.
Senati autorizoi komisionin për ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores së përgjithshme të studimeve të doktoratës dhe hartimin e Udhëzuesit për zbatim të procedurave të këtyre studimeve.
Gjithashtu, u ratifikua dhe u lejua mbrojtja e gjashtë temave të doktoratës dhe u miratuan katër tema të tilla, në bazë të materialeve të ardhura nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës.