Senati vendosi ta nderojë juristin japonez Hisashi Owada dhe shpalli zgjedhjet për anëtarët e Këshillit Drejtues nga UP-ja
Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 28 majit 2025, shpalli zgjedhjet për anëtarët e UP-së në Këshillin Drejtues dhe vendosi ta nderojë me titullin „Doktor Nderi”, juristin japonez të së drejtës ndërkombëtare me famë globale, Hisashi Owada.
Në mbledhje u vendos të shpallen zgjedhjet për pesë anëtarët nga personeli akademik që përfaqësojnë Universitetin e Prishtinës në Këshillin Drejtues.
Senatorët, pa vota kundër dhe abstenime, miratuan shpalljen e konkursit dhe përcaktimet e kritereve për përzgjedhjen e studentëve të rinj në programet baçelor dhe master. U aprovua njëzëri edhe Rregullorja për Zyrën e Ombudspersonit, pasi me statutin e ri të korrikut të vitit 2024, UP-ja duhet të ketë një avokat për studentë.
Hartimi i konceptit dhe rregullores për krijimin e zyrave të Ombudspersonit është mbështetur nga projekti “HEI '25”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), me kontribut të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në vijim të mbështetjes që ka ofruar projekti “Përkrahja e Arsimit të Lartë përmes Avokimit dhe Kontributit të Bazuar në Hulumtim”, i financuar nga Fondacioni i Ballkanit Perëndimor për Shoqëri të Hapur dhe i implementuar nga Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet – avokuesi kryesor i idesë për krijimin e këtyre zyrave në universitetet publike.
Ndryshim i vogël iu bë tekstit të rregullores për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Termi „bashkëpunëtorë të jashtëm” u zëvendësua me „profesorë të angazhuar”. Senati vendosi të shpallë thirrje publike për profesorë dhe asistentë të angazhuar dhe ua vazhdoi angazhimin kësaj kategorie në UP për vitin 2025/’26.
Në mbledhje u përcaktuan qartë edhe kriteret dhe dallimet mes konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në Senat kaluan njëzëri edhe disa tema doktorate nga njësitë e ndryshme akademike të UP-së, sipas rekomandimeve të Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës, derisa u diskutua edhe rreth shfrytëzimit të hapësirave universitare nga palët e treta. U vendos që palët e treta që nuk kanë mision të njëjtë a të ngjashëm me Universitetin e Prishtinës, nuk mund të shfrytëzojnë hapësirat e këtij universiteti.