Rritet vazhdimisht bashkëpunimi ndërkombëtar i UP-së
Një delegacion nga Izraeli bashkë me ambasadoren e këtij shteti në Kosovë, vizituan Universitetin e Prishtinës për të shtuar bashkëpunimin mes universiteteve të dy vendeve.
Rektori, prof. Arben Hajrullahu bashkë me prorektorin për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari pritën drejtorin e përgjithshëm në Ministrinë e Bashkëpunimit Rajonal të Izraelit, Gilad Shadmon, zyrtaren në këtë ministri, Shelly Perets, ambasadoren izraelite në Kosovë, shkëlqesinë e saj, Tamar Ziv, këshilltarin ligjor, Bishara Eli Farran dhe këshilltaren e ambasadores izraelite, Valbona Fazliu.
Në takim u tha se duhet bërë shumë hapa konkretë për fuqizim të bashkëpunimit në një kohë të zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe inteligjencës artificiale që po e ndryshojnë botën shumë shpejt. Nga UP-ja u propozua bashkëpunim në fushat e bujqësisë, teknologjisë informative dhe menaxhimit të ujërave.
Kryesuesi i delegacionit izraelit, Gilad Shadmon, deklaroi se lidhja në nivelin akademik mes universiteteve dhe dy shteteve është shumë e rëndësishme, ndërsa përmendi edhe mundësinë e dhënies së bursave për studentët nga UP-ja që do të vazhdojnë studimet në Izrael. U përmend edhe mundësia e bashkëpunimit mes qendrave të inovacionit në Izrael dhe Universitetit të Prishtinës.
Ambasadorja Tamar Ziv uroi që ky vit akademik të jetë vit i rritjes së bashkëpunimit mes universiteteve izraelite dhe UP-së. Ajo tregoi se në këto universitete vjet dhe sivjet janë duke studiuar dy deri tre studentë nga Kosova.
Mysafirët u interesuan dhe shprehën dëshirën për ardhje të profesorëve dhe studentëve nga vendi i tyre në edicionin e 25-të të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës që pritet të zhvillohet në verën e vitit të ardhshëm, ndërsa ftuan të interesuarit nga UP-ja për të marrë pjesë në konventën ndërkombëtare për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim, që do të zhvillohet në shkurt të vitit 2026 në Jerusalem.