Rektori viziton ndërtesën e re të FShMN-së, flet për të ardhmen e ndritshme të UP-së

Rektori viziton ndërtesën e re të FShMN-së, flet për të ardhmen e ndritshme të UP-së

Administrator Administrator 14 maj 2025 Arkivuar

Gjatë vizitës në objektin e ri, në përfundim e sipër, të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, rektori Arben Hajrullahu tha se është krenari dhe përgjegjësi e madhe njëkohësisht, të drejtosh universitetin e renditur më së larti nga të gjitha universitetet e hapësirave shqiptare.

Rektori Hajrullahu, ndërtesën që dita-ditës po e merr formën e saj përfundimtare, e cilësoi objekt të kohës në të cilën po jetojmë, të ndërtuar me standarde të Bashkimit Evropian dhe me efiçiencë energjie.

Tha se edhe Universiteti i Prishtinës po shkon rrugës së njëjtë të inovacionit dhe përshtatjes me zhvillimet e vazhdueshme teknologjike dhe vetë inteligjencën artificiale.

Vizita u organizua nga Zyra e Kombeve te Bashkuara për Shërbime te Projekteve (UNOPS) në kuadër të aktivitetit „Hulumtimi i Praktikave Arkitekturore dhe Inxhinierike në Vendin e Punës”, ndërsa në të morën pjesë edhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari, studentë të arkitekturës, inxhinierisë e ekonomisë së UP-së dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Alessandro Bianciadri, zëvendësshef i seksionit të bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, duke iu drejtuar studentëve të pranishëm në vendpunishte, tha se lidhja e teorisë me praktikën është shumë e rëndësishme. Edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, foli për studentët që morën pjesë në këtë ngjarje. Tha se juve për të cilët po punohet ju kemi në mendje dhe këtu do të studiojnë gjeneratat e së ardhmes.

Gjatë aktivitetit të sotëm, foli edhe Simonetta Siligato, drejtoresha e Zyrës Shumëkombëshe të Austrisë në UNOPS, ndërsa detaje për ndërtesën e re të FShMN-së dha shefja e Zyrës së UNOPS-it për Kosovë e Shqipëri, Sabine Kania.

Sipas zonjës Kania, ndërtesa e financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit, ndërsa e projektuar dhe mbikëqyrur në të gjitha fazat e ndërtimit nga UNOPS-i, mes tjerash, do të ketë kulm të gjelbëruar, hapësira për shoqërim të studentëve dhe do të përshtatet me objektet përreth.