Rektori takon përfaqësuesit e Parlamentit Studentor, i uron kryetares ardhjen në detyrë

Administrator Administrator 15 nëntor 2017 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema ka pritur në takim një grup studentësh, përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast, ai në cilësinë e të parit të Universitetit dhe në emër të menaxhmentit të UP-së, uroi edhe studenten Arjeta Bajramin me ardhjen në krye të detyrës së këtij organi studentor, duke i premtuar që nuk do t’u mungojë asnjëherë përkrahja e Rektoratit.

Dema falënderoi studentët për kontributin që po japin në vazhdimësi për Universitetin e Prishtinës. Njëherësh, ai falënderoi edhe ish – kryetarin, studentin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Muhamer Hamzajn për bashkëpunimin e ngushtë që kanë pasur deri më tani, duke uruar që i tillë të jetë bashkëpunimi edhe me kryetaren e re të Parlamentit Studentor.

Në anën tjetër, Hamzaj falënderoi Rektorin për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë ky menaxhment Parlamentit Studentor, duke i përkrahur të gjitha idetë dhe projektet që ata kanë ideuar. Ai theksoi që është i lumtur që pas tij në krye të Parlamentit Studentor për të parën herë në histori drejtimin e ka marrë një studente.

E Arjeta premtoi që të gjitha projektet e nisura nga Hamzaj do të vazhdojnë e të finalizohen në mandatin e saj. Ajo falënderoi Rektorin për pritjen si dhe uroi për një bashkëpunim të frytshëm me menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës.