Rektori Sahiti takon ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando
Në vazhdën e takimeve të këtij fillim mandati, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Naser Sahiti, sot u takua me ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.
Ambasadori italian, z. Nicola Orlando, u shpreh shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me UP-në, nëpërmjet Fakultetit të Filologjisë, por edhe marrëveshjeve të tjera. “Ne jemi jashtëzakonisht shumë të interesuar që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe në të ardhmen, përmes ideve të reja e në fusha të ndryshme”, tha Orlando.
Ai gjithashtu u shpreh i nderuar që do të ketë mundësinë e bashkëpunimit me rektorin Sahiti, të cilin e uroi përzemërsisht për fillimin e mandatit të tij në krye të UP-së.
Në anën tjetër, rektori Sahiti u shpreh shumë i kënaqur me mbështetjen që Ambasada Italiane i ka ofruar përgjatë këtyre viteve Universitetit të Prishtinës. Ai i mirëpriti propozimet e ambasadorit Orlando dhe nuk hezitoi të ofrojë ndihmën dhe gatishmërinë e tij në çfarëdo projekti për zhvillimin e mëtutjeshëm të UP-së. “Përveç bashkëpunimeve të ndryshme në mobilitete të stafit dhe studentëve, UP-ja do të mund të bashkëpunonte me organizata dhe institute italiane edhe në fushën e kërkimit shkencor,” potencoi rektori.
Takimi përfundoi me premtimin nga të dyja palët për zhvillim edhe më të madh të bashkëpunimit të ndërsjellë, në të mirë të studentëve, por edhe të qytetarëve të të dyja vendeve.
