Rektori Sahiti pret në takim përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim znj. Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë.
Në këtë takim u diskutua rreth partneriteti ndërmjet UP-së dhe UNDP-së, në veçanti në kuadër të iniciativave të propozuara nga palët për bashkëpunim në fushën e energjisë të qëndrueshme dhe ambientit.
I lumtur për vizitën e znj. Suokko në Rektoratin e UP-së u shpreh rektori Sahiti, i cili prezantoi para të pranishmëve shkurtimisht objektivat e menaxhmentit të ri të UP-së.
“Universiteti i Prishtinës dhe ne si menaxhment i ri jemi të hapur për bashkëpunime në të mirë të studentëve dhe të komunitetit. UP-ja, në kuadër të tij, ka Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri e cila si qendër për kërkime dhe trajnime synon të adresojë sfidat globale dhe lokale të qëndrueshmërisë” tha Sahiti, i cili prezantoni ide dhe projekte konkrete për bashkëpunim në fushën e ambientit dhe energjisë së qëndrueshme.
Në anën tjetër, znj. Suokko uroi rektorin për pranimin e detyrës së të parit të UP-së, si dhe theksoi vullnetin e UNDP-së për të kultivuar bashkëpunim të ngushtë më UP-në, në projekte të rëndësishme për shoqërinë.
Të pranishëm të tjerë në këtë takim ishin: prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, prorektori për kërkime shkencore, prof. dr. Kurtesh Sherifi, dhe znj. Shkipe Deda Gjurgjiali – menaxhere e programit të UNDP-së për zhvillim të qëndrueshëm dhe ambient.