Rektori Sahiti pret në takim ambasadorin austriak, Weidinger, – diskutohet për mundësitë e bashkëpunimit

Administrator Administrator 8 tetor 2020 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim ambasadorin austriak në Kosovë, z. Christoph Weidinger.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe prorektorja për mësim dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, sekretari i përgjithshëm i UP-së, z. Esat Kelmendi, udhëheqësja e zyrës së Agjencisë Austriake për Zhvillim në Prishtinë, znj. Sandra Horina, si dhe udhëheqësja e programeve të edukimit të ADA-s në Kosovë, znj. Albulena Zaimi.

Rektori Sahiti e njoftoi ambasadorin Weidinger lidhur me bashkëpunimet e UP-së me universitete dhe organizata austriake, si dhe prezantoi shkurtimisht misionin e tij për UP-në. Sahiti e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e gjertanishme që i ka dhënë UP-së, përmes financimit të projekteve të ndryshme, të implementuara falë bashkëpunimit me të ndërsjellët. 

Në anën tjetër, ambasadori Weidinger tha që ndjehet shumë i lumtur që sot gjendet në Universitetin e Prishtinës. Ai e përgëzoi rektorin Sahiti për pranimin e detyrës së të parit të UP-së dhe theksoi se Ambasada e Austrisë do të vazhdojë ta mbështesë arsimin e lartë, në veçanti UP-në, si shtyllë kryesore e përgatitjes profesionale të të rinjve tanë.

Gjatë këtij takimi u diskutua në veçanti për bashkëpunimin e ngushtë që UP-ja ka pasur për vite më radhë me Agjencinë Austriake për Zhvillim – ADA.