Rektori i UP-së u flet gjimnazistëve të „Sami Frashërit” për shtetndërtimin dhe historinë e Kosovës
Në prag të 18 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rektori, prof. Arben Hajrullahu, ligjëroi dhe bashkëbisedoi me nxënës të gjimnazit „Sami Frashëri” për rrugën e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Gjatë ligjëratës dhe sesionit me pyetje-përgjigje, u prekën dhe komentuan pikat kyçe të historisë së Kosovës, sidomos pjesa pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme.
Rektori Hajrullahu, e cilësoi pikeënisje të shtetit të tashëm të Kosovës, 27 nëntorin e vitit 1968, kur në demonstratat e asaj kohe u kërkua themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe republika e Kosovës, teksa konstatoi se shteti që kemi është rezultat i proceseve të ndryshme që zgjatën me dekada dhe para së gjithash edhe i orientimit të drejtë të elitave politike të vendit.
Në takimin me nxënësit u konstatua se Kosova pavarësisht sfidave e problemeve që ka e mund të ketë, ka bërë përparime të mëdha dhe është shumë më mirë në të gjitha aspektet, sesa, për shembull, para një çerek shekulli.
Rektori, citoi para nxënësve të gjimnazit më të vjetër të Prishtinës, fjalët e juristit japonez dhe ish-kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hisashi Owada, që kur mori çmimin „Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës, më 18 qershor 2025, tha se „ajo që ju keni arritur në Kosovë mund të vlerësohet si një fitore njerëzore më shumë sesa një fitore ndërmjet kombeve”.
Rektori i porositi nxënësit që të punojnë fort për një të ardhme më të mirë të vetes e të vendit, derisa ua kujtoi atyre se po jetojnë në një kohë të mundësive të jashtëzakonshme, të cilat u sugjeroi t’i shfrytëzojnë maksimalisht. Njëra nga këto mundësi është edhe shkollimi pa pagesë në UP që bëhet i mundur nga taksat e qytetarëve të Kosovës.
Nxënësit në praninë e drejtorit të gjimnazit, prof. Betim Sylejmani dhe organizatores së ngjarjes, profesoreshës, Hamide Sahiti-Beha, shtruan pyetje dhe morën përgjigje për periudha të ndryshme historike dhe çështje aktuale.
Në fund, nxënësja Vlera Shala ia dhuroi rektorit Hajrullahu një portret të atdhetarit dhe veprimtarit, Hasan Prishtina.