Rektori i Universiteti të Prishtinës dhe drejtori i QKSTK-së vizitojnë Universitetin Mjekësor të Gracit
Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës në shtator të vitit 2025 nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin Mjekësor të Gracit të Austrisë për zhvillimin e mëtejmë të Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në UP.
Në vizitën e parë pas nënshkrimit të memorandumit mes rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, drejtorit të QKSTK-së, prof. Rifat Latifit, rektores së Universitetit Mjekësor të Gracit, prof. Andrea Kurz-it dhe drejtorit të Departamentit të Kirurgjisë Lars-Peter Kamolz-it, u bisedua për planin aktual të zhvillimit dhe mbështetjes për konsolidimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të QKSTK-së në UP nga institucioni prestigjioz i arsimit të lartë austriak.
Sipas memorandumit, mes këtyre partnerëve universitarë e shkencorë do të ketë bashkëpunim akademik në fushat e trajtimit, kërkimit, zhvillimit të kurrikulës, arsimit të vazhdueshëm pasuniversitar, sigurimit të cilësisë, zhvillimit institucional, shpërndarjes së informatave dhe shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe personelit.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, drejtori i QKSTK-së, prof. Rifat Latifi dhe Lumnije Kqiku-Biblekaj nga Departamenti i Stomatologjisë dhe Shëndetit Oral gjatë këtij takimi me rektoren e Universitetit Mjekësor të Gracit, prof. Andrea Kurz dhe drejtorin e Departamentit të Kirurgjisë Lars-Peter Kamolz, u dakorduan për thellimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimeve të ndërsjella.
Planet e bashkëpunimit përfshijnë sigurimin e fondeve për renovimin e QKSTK-së, programe të përbashkëta trajnimi, projekte bashkëpunimi e shkëmbimesh të ndërsjella, transferim njohurish dhe bashkëpunim të ngushtë në përgjithësi. Qëllimi madhor është zhvillimi i qëndrueshëm i strukturave moderne të trajnimit dhe kërkimit kirurgjikal në Kosovë e përtej.
Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP që do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara, u themelua në korrik të vitit 2025, ndërsa në nëntor të vitit 2025 drejtor i saj u zgjodh kirurgu, mjeku dhe profesori me renome ndërkombëtare, prof. Rifat Latifi.
