Rektori Hajrullahu fton për mirëpërdorim të inteligjencës artificiale
Në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare dhe brenda hapësirave të Fakultetit Filozofik nisi sot e do të vazhdojë edhe dy ditë të tjera Konferenca Ndërkombëtare „Kosova PAR 2025”.
Në hapje të konferencës folës kryesor ishte shkrimtari e ndërmarrësi kanadez, Alistair Croll. Në ligjëratën e tij Croll, konstatoi se njerëzit tashmë janë bërë qenie hibride, pasi qëndrojnë online, jashtë orarit të tyre të punës, mesatarisht gati shtatë orë në ditë.
Pasdite, në një panel diskutimi të Konferencës Ndërkombëtare „Kosova PAR 2025”, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, duke përmendur epokën e inteligjencës artificiale në të cilën po jetojmë, tha se nuk duhet të frikësohemi nga ndryshimi, por edhe një herë në histori po ndodh një ndryshim i madh, siç ishte në epokat e revolucionit industrial, elektrifikimit e automatizimit.
Rektori Hajrullahu konstatoi se universitetet nuk munden më të funksionojnë në mënyrë praktike, pa e bërë një hap të madh përpara në fushën e digjitalizimit dhe përdorimit etik të inteligjencës artificiale, prandaj edhe Universiteti i Prishtinës është i përcaktuar të vazhdojë zhvillimin në këtë drejtim.
Rektori Hajrullahu ishte pjesë e panelit të përbashkët për ndërtimin e kapaciteteve njerëzore, bashkë me zëvendësdrejtoreshën për sintezën statutore, politikat territoriale dhe partneritetet në Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil (DGAFP) brenda Ministrisë për Veprim Publik, Shërbim Civil dhe Thjeshtësim të Francës, Hélène Martin dhe koordinatoren ndërkombëtare nga Holanda në Ministrinë e Brendshme dhe Marrëdhëniet me Mbretërinë, Marilette van As. Diskutimet në panel i udhëhoqi drejtori i Departamentit për Reformën e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Edmir Sejdiu.
Panelistet nga Franca e Holanda shpjeguan me shembujt e shteteve të tyre se si këto shtete po mundohen ta rregullojnë ligjërisht përdorimin e inteligjencës artificiale prodhuese në administratën publike. Nga debati doli konkluzioni se mjetet e inteligjencës artificiale duhet të jenë ndihmëse e jo zëvendësuese të fuqisë punëtore njerëzore.
Konferenca që organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në edicionin e tretë të saj, ka për temë kapacitetet e administratës publike për dhe nëpërmjet inteligjencës artificiale.