Rektori Dema viziton kandidatët për studentë të UP-së gjatë mbajtjes së provimeve pranuese

Administrator Administrator 18 shtator 2017 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema vizitoi njësitë akademike ku po mbahen provimet pranuese për konkursin e dytë plotësues për kandidatët për studentë të rinj të UP-së.

Ai i falënderoi të rinjtë për përzgjedhjen e bërë, duke aplikuar pikërisht për t’u bërë studentë të universitetit më të mirë në vend, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Njëherësh Dema u uroi atyre suksese në këtë sfidë shumë të madhe të karrierës së tyre, si dhe u premtoi që më të mirët do të behën pjesë të këtij institucioni të arsimit të lartë.

Dekanët e njësive akademike dhe profesorët mbikëqyrës e informuan Rektorin lidhur me rrjedhën e provimit pranues. Sipas tyre, gjithçka është duke shkuar ashtu siç është planifikuar dhe nuk ka ndonjë pakënaqësi as nga ana e konkurrentëve për studentë.

Dema me bashkëpunëtorët e tij gjatë ditës së sotme vizituan Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Gjatë ditës se nesërme, po ashtu, planifikohen të bëhen vizita në njësitë e tjera akademike të tjera ku do të mbahen provimet pranuese në kuadër të konkursit plotësues për plotësimin e vendeve të paplotësuara nga afati i parë i konkursit për pranimin e studentëve në studimet themelore – bachelor për vitin akademik 2017 – 2018.