Rektori Dema uron 10 vjetorin e Pavarësisë

Administrator Administrator 17 shkurt 2018 Arkivuar

Me rastin e dekadës së parë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema ua uron këtë festë gjithë studentëve, stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve kudo në botë.

Urimi i Rektorit:

Urime ditëlindja e 10-të e Kosovës!

Ky muaj është i shenjtë për faktin që vetëm dy ditë me parë festuam ditëlindjen e 48-të të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, vatrës kryesore të dijes, jo vetëm në Kosovë, por në hapësirën shqipfolëse kudo. Ndërkaq, sot po festojmë me ngazëllim Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

17 shkurti është dita e kthesës. Andaj, në këtë ditë, ju ftoj që të vihet në pah edhe më shumë uniteti dhe dashuria për vendin tonë. Ta duam Kosovën duke sakrifikuar për të, ashtu siç gjatë historisë sakrifikuan heronjtë tanë që ne të festojmë sot!

Në këtë ditë të sakrificës, ftoj që së bashku të japim më shumë kontribut nga vetja jonë, për një të ardhme me arsimim më cilësor për gjeneratat pasuese. Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, në këtë rrugëtim, është shumë i përkushtuar për të arritur rezultate të krahasueshme në nivel ndërkombëtar, si dhe të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Republikës së Kosovës.

Me nderime,
Marjan Dema – Rektor