Rektori Dema takon zëvendëskryeministrin Hoti, diskutojnë për të ardhmen e UP-së

Administrator Administrator 21 shkurt 2020 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka takuar zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës, z. Avdullah Hoti, me ç’rast kanë diskutuar për gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës dhe planet për të ardhmen e këtij institucioni.

Ndër të tjera, në këtë takim u fol për Ligjin mbi Arsimin e Lartë si dhe për përgatitjen e një studimi të fizibilitetit nga ana e UP-së për rregullimin e kampusit universitar.

Rektori Dema e njoftoi nga afër zëvendëskryeministrin për të arriturat e universitetit si dhe e uroi z. Hotin për marrjen e detyrës së re.

Ndërkaq, z. Hoti tha se politika nuk do të përzihet në autonominë e universitetit dhe se është i gatshëm për bashkëpunim për të ardhmen e këtij institucioni.

Në takim të pranishëm ishin edhe prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Myrvete Badivuku, dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Xhavit Rexha, i cili e vlerësoi lart punën e menaxhmentit aktual.