Rektori Dema takon studentët, me të cilët bisedon për rrjedhën e afatit të provimeve
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka vijuar sot serinë e takimeve të përmuajshme me studentët e UP-së, me të cilët ka biseduar për mbarëvajtjen e provimeve të afatit të janarit – shkurtit.
Ftesës së rektorit Dema i janë përgjigjur studentë nga pothuajse të gjitha njësitë akademike të UP-së, të cilët diskutuan me rektorin për shqetësimet dhe idetë e tyre lidhur me organizimin e provimeve të këtij afati.
Takimin për të pirë kafe me studentë dhe për të diskutuar për çështjet që i preokupojnë ata, rektori e konsideroi si një ndër më të rëndësishmit në punën e tij. Ai i inkurajoi studentët që të bëhen pjesë e transformimit të Universitetit të Prishtinës, teksa i siguroi që ai dhe ekipi i tij janë çdoherë pranë tyre për të dëgjuar ankesat, kërkesat dhe idetë për ndryshim.

E ftesën e rektorit Dema për takim, studentët pjesëmarrës e konsideruan unike, kreative por edhe të domosdoshme. Ata e falënderuan rektorin për hapësirën dhe kohën që po ndan për studentët, gjë e cila po i bën pjesë të progresit dhe zhvillimeve në universitetin e tyre.
Para menaxhmentit, ata shprehen shqetësimet e tyre për pengesat që ka shkaktuar greva në arsim, për oraret e provimeve, për komunikimin profesorë – studentë dhe tema të tjera si procesi i akreditimit, shqetësimet për mungesë të punës praktike, mungesë të laboratorëve, e të tjera.
Menaxhmenti i dëgjoi kërkesat e studentëve dhe i informoi ata me procesin dhe adresimet që ata kanë bërë për eliminimin e këtyre pengesave.
Takimet e studentëve me rektorin janë takime të përmuajshme, gjatë të cilave diskutohet për tema të ndryshme që prekin cilësinë e jetës studentore në UP. Ky takim, i thirrur nga rektori Dema, është organizuar me qëllim që menaxhmenti të jetë sa më i informuar me sfidat e studentëve në përditshmërinë e tyre gjatë studimeve në UP.
Takimi i sotëm u zhvillua nën motot: “Së pari studentët” dhe “Unë jam UP”.