Rektori Dema takon profesor Benedek nga Universiteti i Grazit

Administrator Administrator 7 korrik 2017 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, prof. dr. Teuta Pustina pritën në takim profesorin Wolfgang Benedek nga Universiteti i Grazit dhe znj. Louise Sperl, menaxhere e projektit në Wus Austria.

“Qendra për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Prishtinës” ishte tematika kryesore e këtij takimi. Të pranishmit në takim biseduan për gjendjen aktuale të kësaj Qendre në kuadër të Fakultetit Juridik të UP-së, si dhe për mundësitë për të bërë më tepër në funksionalizimin edhe më të madh të saj.

Rektori Dema falënderoi profesorin Benedek për vizitën e tij. Ai u bëri me dije të pranishmëve që është shumë i angazhuar në rifunksionalizimin e kësaj Qendre dhe se e vlerëson ekzistencën e saj si shumë të rëndësishme për UP-në.

Në anën tjetër, prof. Benedek dha sugjerime për mënyrat e ndryshme të rivitalizimit të saj, duke theksuar që është në dispozicion për të ndihmuar më tepër në këtë drejtim.

Profesor Benedek është në mesin e themeluesve të “Qendrës për të Drejtat e Njeriut” në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.