Rektori Dema priti në takim Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë
Prof. Dr. Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” priti në një takim të veçantë Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, SHT Bojan Bertoncelj. Në takim u shkëmbyen ide për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e arsimit të lartë. Specifikisht bashkëbiseduesit u morën vesh për të punuar me qeveritë përkatëse për themelimin e një fondi të veçantë për mbështetjen e doktorantëve nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në universitetet sllovene. Mbështetja financiare do të përqendrohet te kandidatët për doktorë shkencash nga fusha, në të cilat ka deficit kadrovik në Republikën e Kosovës. SHT Bertoncelj shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe përgëzoi rektorin Dema për ngritjen e vazhdueshme të këtij institucioni si rezultat i reformave të ndërmarra. Nga ana e tij, rektori Dema falënderoi Ambasadën e Sllovenisë, Qeverinë e Sllovenisë dhe popullin slloven për mbështetjen, veçanërisht ndihmën e dhënë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” si institucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në vend.