Rektori Dema pret në takim ministrin për të drejtat e njeriut dhe pakicave të Malit të Zi, z. Mehmed Zenka
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka pritur në takim në Rektoratin e UPHP-së, të parin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave të Malit të Zi, z. Mehmed Zenka.
Pjesëmarrës të tjerë në këtë takim nga delegacioni i Malit të Zi ishin: z. Marash Dukaj- zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi dhe z. Valon Dasharami- sekretar i përgjithshëm në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave të Malit të Zi. Ndërkaq, në këtë takim, Rektori Dema ishte i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i UPHP-së, z. Esat Kelmendi dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, prof. dr. Tahir Arbneshi. Në këtë takim prezent ishte edhe z. Enver Buqaj nga Ambasda e Kosovës në Mal të Zi.

Tema e bosht e diskutimit në këtë takim ishte sigurimi i kuotave të veçanta për studentët nga Mali i Zi, të cilët dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Rektori Dema u shpreh i lumtur për vizitën e ministrit Zenka në Rektorat. Pasi informoi delegacionin nga Mali i Zi për përparimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, Dema siguroi delegacionin mysafirë në mbështetjen e vazhdueshme të drejtuesve të UPHP-së në sigurimin e lehtësirave të nevojshme për studentët shqiptarë të Malit të Zi, të cilët vendosin që të studiojnë në UPHP.
Në anën tjetër, ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave të Malit të Zi, z. Zenka, falënderoi Rektorin Dema për pritjen dhe gatishmërinë e treguar për të mbështetur studentët nga Mali i Zi.
“Për Kosovën çështje teknike, për ne çështje jetike”, u shpreh Zenka tek foli për çështjen e sigurimit të kuotave të veçanta për studentët shqiptarë nga Mali i Zi për regjistrimin e studimeve në UPHP. Ndër të tjerash, ministri Zenka tha që “UPHP që nga themelimi ka forcuar ndjenjën kombëtare tek shqipfolësit kudo, duke shërbyer si prodhuesi më i madh i intelektualeve të kombit shqiptar”.
Përveç kërkesës për sigurimin e kuotave të veçanta për studentët nga Mali i Zi për regjistrim në UPHP, në këtë takim u diskutua edhe për mundësi të tjera të bashkëpunimit, si dhe për lehtësira të tjera të cilat UPHP do të mund të implementonte për studentët nga vendi fqinj.
