Rektori Dema pret në takim ministrin Bytyqi - vizitojnë kandidatët për studentë të Fakultetit Ekonomik në UP

Administrator Administrator 19 shtator 2017 Arkivuar

Në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur provimi pranues i konkursit plotësues (afati i II-të) për plotësimin e vendeve të paplotësuara nga afati i parë i konkursit për pranimin e studentëve në studimet themelore – bachelor për vitin akademik 2017/2018.

Kandidatët për studentë në këtë njësi akademike të UP-së, gjatë mbajtjes së provimit, u vizituan nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Dema gjatë vizitës ishte i shoqëruar nga prorektorja për buxhet dhe financa në UP, Myrvete Badivuku, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, Teuta Pustina, këshilltari i tij, Rrustem Qehaja si dhe dekani i Fakulteti Ekonomik, But Dedaj.

Rektori Dema dhe dekani Dedaj pritën ministrin në takim, ku e uruan për detyrën e tij, njëherësh shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me ministrin, me qëllim të ofrimit të studimeve kualitative për të rinjtë që zgjedhin të studiojnë në UP.

Ndërkaq ministri përgëzoi Rektorin dhe gjithë menaxhmentin për punën e bërë në organizimin e provimit pranues dhe jo vetëm. Ai edhe një herë potencoi vullnetin e tij për bashkëpunim, që së bashku të krijojnë një ambient akademik edhe më të mirë për studentët.

Ministri Bytyqi dhe Rektori Dema vizituan disa nga sallat ku kandidatët për studentë iu nënshtruan provimit pranues. Ata i uruan suksese atyre, duke u garantuar që ata më meritorët do të arrijnë të bëhen pjesë e UP-së.

Provime pranuese për afatin e dytë në UP, gjatë ditës janë mbajtur edhe në disa njësi të tjera akademike, duke përfshire këtu Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit si dhe Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore.