Rektori Dema pret në takim ministrin Beqaj – angazhohen për krijimin e mundësive të reja për studentët

Administrator Administrator 19 shtator 2017 Arkivuar

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Besim Beqaj vizitoi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë vizitës së parë zyrtare të tij në këtë post. Ministrin Beqaj u prit në takim nga Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Tema bosht e këtij takimi ishte angazhimi i përbashkët në procesin e lidhjes së edukimit me nevojat reale të ekonomisë.

Rektori Dema e njoftoi ministrin Beqaj lidhur me proceset e fundit nëpër të cilat po kalon Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Njëkohësisht, Dema ofroi bashkëpunimin e tij dhe të menaxhmentit për të hapur rrugë të reja të bashkëpunimit me Ministrinë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, të cilat do të krijojnë mundësi të reja për studentët.

Ndërkaq, ministri Beqaj përveç që njoftoi menaxhmentin e UP-së me objektivat e Ministrisë, njëkohësisht potencioi edhe vullnetin e tij për bashkëpunim që së bashku të dizajnojnë mekanizmat koordinues në mes të shkencës, sektorit privat dhe politikë-bërjes.

Programet e trajnimeve, praktikat profesionale dhe harmonizimi i kurrikulave shkencore me tregun e punës, ishin pika të cilat menaxhmenti i UP-së i propozoi si hapa fillestarë për bashkëpunim, të cilat edhe nga ana e ministrit u aprovuan si objektiva.