Rektori Dema, pjesë e konferencës “Liritë dhe përgjegjësitë e universitetit: Përballja me sfidat e së ardhmes”, në Kanada
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, mori pjesë në konferencën “Liritë dhe përgjegjësitë e universitetit: Përballja me sfidat e së ardhmes”, e cila u mbajt në Universitetin McMaster në Hamilton të Kanadasë.
Në konferencën e organizuar për shënimin e 31-vjetorit të Observatorit të Kartës së Madhe (MCO) u diskutua për rolin dominues të universiteteve, të cilat përmes zbatimit të vlerave themelore të arsimit të lartë mund të ndihmojnë adresimin e sfidave të së ardhmes.
Gjatë dy ditëve të kësaj konference, rektori Dema pati rastin të takojë përfaqësues të universiteteve nga mbarë bota, duke shkëmbyer pikëpamjet dhe prezantuar vlerat e UP-së si universiteti më i madh dhe më i vjetër në hapësirat shqipfolëse.
Ndër të tjera, në kuadër të MCO-së këtë vit u anëtarësuan edhe tre universitete shqiptare: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë.
Karta e Madhe është njëri ndër dokumentet kryesore për vlerat dhe parimet themelore të universitetit dhe mbi 800 udhëheqës të universiteteve nga e gjithë bota deri më tani e kanë nënshkruar atë. Karta e Madhe u nënshkrua për herë të parë nga 388 rektorë më 18 shtator të vitit 1988, në praninë e liderëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë së lartë nga mbarë bota. Qëllimi i saj është promovimi i vlerave të traditës universitare, si dhe inkurajimi i lidhjeve të forta ndërmjet universiteteve.
