Rektori Dema mori pjesë në punëtorinë për të drejtat e njeriut në institucionet e arsimit të lartë
Projekti HERAS - Higher Education, Research and Applied Science in Kosovo ka organizuar punëtorinë me titull “Aplikimi i një qasjeje të bazuar në të drejtat e njeriut në arsimimin e lartë”.
Në hapjen e punimeve të kësaj punëtorie prezent ishte edhe Rektori i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Rektori Dema u ofroi të pranishmëve një pasqyrë të gjendjes aktuale të Universitetit të Prishtinës lidhur me këtë tematikë, me theks të veçantë informoi për Qendrën për të Drejtat e Njeriut në kuadër të UP-së.
Ai ndër të tjerash tha: “njëra nder vlerat në të cilën bazohet veprimtaria e UP-së, e cila po ashtu është e pasqyruar edhe në programin tim të punës, së bashku me dijen, të vërtetën, ndërtimin e miqësisë, mendjen e hapur, mendimin kritik dhe tolerancën, është edhe barazia. Pra, ne punojmë që të promovojmë barazi dhe tolerancë në këtë institucion të arsimit të lartë”.
Punimet e kësaj punëtorie i përshëndetën edhe drejtorja e departamentit të arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Drita Kadriu, profesori Wolfgang Benedek nga Universiteti i Grazit si dhe Veronika Nitsche nga Wus Austria.
Kjo punëtori dy ditore ka target aktorët kryesorë në fushën e arsimit të lartë, siç janë: zyrtarët e departamentit të arsimit të lartë, të drejtave të njeriut, dhe të kërkimit në MASHT, Agjencinë e Kosovës për Akreditim, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, Qendrën për të Drejtat e Njeriut në UP si dhe përfaqësues të parlamentit të studentëve.