Rektori Dema flet për progresin, sfidat dhe prioritetet e Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e Komisionit për Arsim

Administrator Administrator 18 korrik 2018 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. dr. Marjan Dema ishte pjesë e takimit të ftuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi me rektorët e universiteteve publike të Kosovës.

Mbledhja e këtij Komisioni kishte temë të diskutimit prioritetet dhe sfidat në arsimin e lartë në universitetet publike të vendit.

Rektori Dema raportoi para Komisionit për progresin që është shënuar në Universitetin e Prishtinës në dy vitet e fundit. Dema bëri një krahasim mes gjendjes së UP-së dy vite më parë dhe tani, ku pas implementimit të Planit Strategjik është shënuar progres në ngritjen e cilësisë se mësimdhënies dhe mësimnxënies, në globalizimin e UP-së, lidhjen e studimeve me tregun e punës, veçanërisht në krijimin e standardeve dhe rregulloreve që kontribuojnë në mirëfunksionimin e këtij Universiteti.

Gjithashtu, Rektori Dema foli edhe për sfidat e trashëguara, por edhe për prioritetet për të ardhmen, ku ndër të tjera përmendi si objektiva: sigurimin e qëndrueshmërisë së reformave, decentralizimin e UP-së, rritjen e mundësive për shërbim për komunitetin, krijimin e kartelës për vlerësimin e stafit në kuadër të UP-së dhe të tjera iniciativa.

Në anën tjetër, kryesuesi i Komisionit, z. Ismajl Kurteshi, falënderoi rektorët për prezencën e tyre në këtë takim të thirrur për të diskutuar lidhur me gjendjen në universitetet publike vendore.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe rektorët e universiteteve të tjera publike, përkatësisht: rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, prof. dr. Ramë Vataj, rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, prof. dr. Bajram Kosumi dhe rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, prof. dr. Fadil Millaku.

Në cilësinë e kryesuesit të Konferencës së Rektorëve të universiteteve publike, rektori Vataj foli për sfidat me të cilat po ballafaqohen pjesa dërrmuese e universiteteve publike, ku theksin më të madh e përqendroi tek ndërhyrjet në autonomitë e universiteteve, atë të financave, në pagat e stafit akademik si dhe statutet e përkohshme të disa prej universiteteve publike.

Pas prezantimeve të progresit, sfidave dhe prioriteteve për Universitetet përkatëse nga rektorët e tyre, pasuan pyetjet nga deputetët pjesëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, gjë që rezultoi me diskutim lidhur me këto çështje të rëndësishme të sferës së arsimit të lartë në vend.