Rektori Dema e takon rektorin Pollozhani – synohet bashkëpunimi në fushën e shkencave teknike
Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dje gjatë ditës, e vizitoi rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, z. Aziz Pollozhani, i cili u prit në takim nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema.
Në këtë takim u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes UP-së dhe Universitetit “Nënë Tereza”, me theks të veçantë, shkëmbimi i stafit akademik në fushën e shkencave teknike.
Rektori Dema e falënderoi homologun e tij, rektorin Pollozhani, për vizitën që ia ka bërë UP-së, teksa e siguroi se UP-ja do të vazhdojë ta mbështesë Universitetin “Nenë Tereza”.
“Ne jemi të gatshëm çdo herë të bashkëpunojmë me universitetin tuaj. Ne do t’jua zgjasim dorën për t’ju ndihmuar me të gjitha mundësitë që kemi si universitet”, theksoi Dema.
Gatishmërinë e rektorit Dema për bashkëpunim e përshëndeti rektori Pollozhani. Ai i informoi të pranishmit me potencialet e Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit, teksa u shpreh entuziast për thellimin tutje të bashkëpunimit me UP-në.
Në këtë takim, të pranishëm ishin: prorektorja për cilësi, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj–Berisha, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. dr. Dashamir Bërxulli, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, dr. sc. Abdullah Zejnullahu, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, prof. dr. Enver Hamiti, dhe drejtori i Zyrës për Projekte dhe Kërkime të Sponsorizuara, z. Gentrit Berisha.