Rektori Dema dhe Ambasadori Pfandler vizitojnë Bibliotekën Austriake në UP
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, së bashku me Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Shkëlqesinë e tij, z. Gernot Pfandler, si dhe delegacionet përkatëse, vizituan sot Bibliotekën Austriake në Fakultetin e Filologjisë në UP.
Ambasadori Pfandler dhe Rektori Dema këtë vizitë e zhvilluan me qëllim që të njoftohen nga afër me punën që po zhvillohet në këtë bibliotekë, si dhe të diskutohen mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen.
Dema u shpreh i lumtur për vizitën e ambasadorit Pfandler në ambientet e UP-së, ndërkaq theksoi gatishmërinë e universitetit për të kontribuuar edhe me tej në punën e Bibliotekës Austriake, e cila para se gjithash, është në shërbim të studentëve.
I lumtur me bashkëpunimin e frytshëm ishte edhe Ambasadori Pfandler, i cili foli edhe për ecurinë pozitive të kësaj biblioteke që nga hera e parë kur ai e kishte vizituar këto hapësira vite me parë.
Ndërkaq, udhëheqësi i Bibliotekës Austriake, z. Fidan Svarça, informoi të pranishmit me aktivitetet e bibliotekës, e cila këtë vit shënon 19 vjetorin e themelimit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Bibliotekën Austriake në UP e kanë vizituar rreth 3440 vizitorë, ku prej tyre, 2046 studentë kanë huazuar libra.
