Rektori Dema, anëtari më i ri rrjetit të të diplomuarve “Alumni”

Administrator Administrator 2 nëntor 2017 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruara nga prorektorët dhe sekretari i përgjithshëm i UP-së, vizitoi sot Qendrën për Zhvillim të Karrierës të Universitetit të Prishtinës. Menaxhmenti në takim u prit nga zyrtarët e kësaj Qendre, Elmedina Nikoçeviq-Kurti dhe Shkumbin Tafilaj.

Dema, me këtë rast hapi edhe profilin e tij në rrjetin “Alumni”, duke u bërë kështu rektori i parë që anëtarësohet në këtë rrjet të të diplomuarve të UP-së.

Qendra për Zhvillim të Karrierës lansoi dy ditë më parë këto projekte, të cilat u realizuan me ndihmën e USAID-it, projektit partner World Learning – TLP –SP, dhe të cilat synojnë të ndihmojnë studentët dhe të diplomuarit e UP-së që të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të promovojnë punën e të diplomuarve.

Përmes platformës “E-karriera” studentët do të kenë mundësinë të krijojnë portfolion e tyre, nga ku do të ndërlidhen me tregun e punës, si dhe do të informohen në kohë reale me mundësi të rëndësishme për karrierën e tyre profesionale.

Ndërkaq, rrjeti i të diplomuarve “Alumni” paraqet platformën tjetër, ku të diplomuarit do të lidhen me njëri-tjetrin dhe me tregun, përmes alumni organizimeve.

Për të pasur qasje në profilin e tyre, studentët duhen të kyçen përmes uebfaqes ekarriera.uni-pr.edu duke shënuar nr. e SEMS ID-së së tyre dhe fjalëkalimin e njëjtë. Të gjithë studentët inkurajohen që të plotësojnë CV-në e tyre në platformë, gjë e cila do t’i mundësojë promovimin më të shpejtë para tregut të punës, të shfrytëzojnë mundësitë e shprehjes së interesit për pjesëmarrje në aktivitete, si: trajnime, seminare, ligjërata nga kompanitë, pastaj të njihen me profilet e shumë punëdhënësve potencial, të lexojnë shpalljet për punë, të plotësojnë pyetësorët, e të tjera.

Të diplomuarit e UP-së ftohen të vizitojnë ueb faqen alumni.uni-pr.edu dhe të regjistrohen (nëse janë të diplomuar që nuk ishin pjesë të SEMS) ose të kyçen me SEMS ID-në e tyre dhe fjalëkalimin që posedojnë për të qenë pjesë e Rrjetit të Diplomuarve, duke pasur po ashtu qasje në shpalljet për punë, njoftime për kampe, udhëtime, bursa, krijimin e CV-së dhe letrës motivuese (që automatikisht shkarkohet në PDF), e të tjera mundësi.

Për qasje më të lehtë në këto dy platforma klikoni në anën e majtë të ueb faqes së UP-së ku shënon E-services.