Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës hapi zyrtarisht edicionin e katërt të "KarrieraUP"
Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u mbajt hapja zyrtare e aktivitetit “KarrieraUP”, i cili ka për qëllim orientimin në karrierë dhe lidhjen me tregun e punës të studentëve dhe të diplomuarve të Universitetit të Prishtinës.
Të pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti ishin rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerimi Qerimi, prorektorja Njomza Llullaku, zëvendësministëri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z. Mentor Arifaj, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi, profesorë, dekanë dhe prodekanë të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, ish studentja e universitetit, znj. Florentina Dushi, përfaqësuese nga tregu i punës, znj. Zana Budima, stafi i Qendrës për Zhvillimin e Karrierës, studentë dhe mysafirë të ftuar.
Rektori Qerimi, i cili theksoi krijimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në kërkimin e dijes, duke filluar nga vendndodhja e këtij aktiviteti, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, hapi zyrtarisht edicionin e katërt të aktivitetit. Ai gjithashtu ripohoi përkushtimin e Universitetit të Prishtinës për të kapërcyer hendekun midis akademisë dhe botës profesionale duke i përgatitur studentët për të qenë liderë të ardhshëm. Gjatë fjalës së tij, rektori Qerimi theksoi rëndësinë dhe kontributin e dy raporteve të prezantuara, të cilat janë rezultat i një hulumtimi të gjerë, sipas të cilit 73% e të diplomuarve të Universitetit të Prishtinës janë të punësuar ose kanë një punë praktike. Rektori i Universitetit të Prishtinës përfundoi duke shprehur përkushtimin e universitetit për përgatitjen e studentëve për të përshtatur kërkesat akademike me kërkesat e tregut.
Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z. Arifaj, i pranishëm në hapje të këtij aktiviteti, nënvizoi një nga pikat më të forta të vendit tonë, që është rinia. Ai pohoi se në qendër të vëmendjes do të jenë të rinjtë me start-up apo ide të reja inovative, me synimin për të krijuar më shumë vende pune për të rinjtë. Z. Arifaj vuri në dukje iniciativat që po ndërmerren nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të cilat i japin një premisë teknologjive të reja dhe metodave sistematike të mbështetjes së inovacionit.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Gashi po ashtu e vlerësoi si zhvillim pozitiv të drejtën e plotë të votës së studentëve në Agjencinë Kosovare për Akreditim. Drejtori Gashi në fund të fjalës së tij vlerësoi reformat e Universitetit të Prishtinës dhe programet e tij që përmbushin kërkesat e studentëve.
Me një fjalë rasti drejtuar të pranishmëve u bë dhe nga dhe ish e diplomuara, znj. Florentina Dushi, e cila ndau përvojën e saj si e diplomuar në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga tregu i punës, ku znj. Zana Budima foli për programet dhe iniciativat të cilat janë të mirëseardhura për studentët dhe zhvillimin e tyre profesional.
Gjatë hapjes zyrtare të aktivitetit "KarrieraUP" u prezantuan dy raporte, të cilat u mbikëqyrën nga prof. ass. dr. Njomza Llullaku.
Znj. Nikoçeviq - Kurti bëri një prezantim të shkurtër të raportit me titull: “Gjurmimi i të diplomuarve në Universitetin e Prishtinës, cilësia e studimeve dhe rruga drejt punësimit”. Gjatë prezantimit u theksua gjurmimi i të diplomuarve në arritjet e tyre pas përfundimit të studimeve në drejtim të përfshirjes në tregun e punës, qëllimi i hulumtimit, metodologjia e cila përfshinte një mijë të diplomuar që iu përgjigjën hulumtimit, rezultatet e studimit, si dhe informacion mbi përvojën e punësimit të të diplomuarve.
Ndërsa z. Tafilaj prezantoi shkurtimisht raportin me titull: “Vlerësimi për përgatitjen profesionale të studentëve nga perpektiva e punëdhënësve”. Gjatë prezantimit z. Tafilaj theksoi qëllimin e raportit, metodologjinë, të dhënat demografike, rezultatet e studimit dhe rekomandime të tjera.
Për të gjithë të interesuarit, #Qendra për Zhvillimin e Karrierës e Universitetit të Prishtinës do të vazhdojë punën me aktivitetin “KarrieraUP” deri më 16 qershor 2023, ku do të mbahen prezantime dhe sesione informative dhe rrjetëzimi për studentët me tregun e punës.