Qendra për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Prishtinës drejt funksionalizimit të plotë
Sot, në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit të Qendrës për Inteligjencë Artificiale (AIUP), ku u zgjodh drejtori i kësaj qendre, profesor Kadri Sylejmani.
Në takim morën pjesë përfaqësues të universitetit, institucioneve publike dhe industrisë, përkatësisht ministri Lulëzon Jagxhiu, njëherësh kryesues i Këshillit, prorektorët Avni Hajdari dhe Albana Berisha-Qehaja, si dhe Hëna Maloku dhe Agon Kabashi, anëtarë të këtij këshilli.
Gjatë takimit u diskutua për përshpejtimin e procesit të digjitalizimit në institucionet shtetërore dhe integrimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike. Po ashtu, u shqyrtuan mundësitë që personeli i Universitetit të Prishtinës të kontribuojë drejtpërdrejt në këto procese.
Qendra për Inteligjencë Artificiale (AIUP), e themeluar në mars të këtij viti, synon të lidhë kërkimin shkencor me aplikimet praktike të inteligjencës artificiale, të ndërtojë kapacitete profesionale dhe të fuqizojë bashkëpunimin me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Një ndër objektivat kryesore të saj është zhvillimi i politikave për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke adresuar etikën, privatësinë dhe ndikimin ekonomik.
