Publikimi në revistën „Kosova Anthropologica” të UP-së i ndihmon profesoreshës amerikane të avancohet në karrierë
Antropologia amerikane dr. Kailey Rocker që publikoi një punim shkencor në revistën „Kosova Anthropologica”, beson se ky artikull i ndihmoi të emërohet profesoreshë-asistente në Universitetin Wilkes të Pensilvanisë në ShBA.
Profesoresha Rocker hulumtimin e saj për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore dhe vuajtjet e ngjashme të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, e publikoi para më shumë se dy vjetësh në revistën që botohet nga Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik të UP-së.
Ky hulumtim është i pari në listën e punimeve shkencore të profesoreshës amerikane në biografinë e saj zyrtare. Ajo është punësuar me kontratë të përhershme në Universitetin Wilkes për të zgjeruar programin aktual të antropologjisë.
Duke reflektuar mbi procesin e aplikimit, dr. Rocker beson se artikulli i saj „Tregimet që na krijojnë: Rrëfimet evropiane të Holokaustit dhe premtimi i praktikave të kujtesës kozmopolite shqiptare”, i publikuar në vëllimin e parë të „Kosova Anthropologica” në 2023-ën, forcoi kandidaturën e saj për këtë pozitë.
Profesoresha amerikane shtoi se i pëlqeu të punojë me ekipin e „Kosova Anthropologica” gjatë procesit të publikimit dhe e vlerësoi lart misionin e revistës „për të çuar përpara dijen antropologjike në Kosovë e rajon” nëpërmjet qasjes së hapur dhe recensioneve të dyfishta nga ekspertët.
Lajmin se artikulli i publikuar në „Kosova Anthropologica” ka ndikuar në procesin e avancimit universitar në Amerikë, e priti shumë mirë edhe kryeredaktori i revistës, prof. Arsim Canolli.
„Ne jemi shumë të kënaqur që artikujt e publikuar nga autorët tanë njihen nga universitetet amerikane si kontribute me ndikim në proceset e punësimit dhe vlerësimit akademik", tha profesori Canolli.
Revista „Kosova Anthropologica” është pjesë e disa platformave të njohura ndërkombëtare dhe nismave të ndryshme evropiane e botërore të revistave me qasje të hapur.
