Prorektorja Berisha viziton kurset e Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Administrator Administrator 18 korrik 2018 Arkivuar

Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. asoc. dr. Merita Berisha si dhe drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, znj. Lumnije Bajrami, vizituan hapësirat e fakulteteve të UP-së ku po zhvillohen kurset e ndryshme në kuadër të edicionit të sivjetmë të Universiteti Veror Ndërkombëtar.

Me këtë rast, prorektorja Berisha shprehu interesimin e menaxhmentit lidhur me procesin e mbajtjes së kurseve nga ana e profesorëve të huaj dhe vendorë, në kuadër të këtij edicioni të UVP-së. Ajo u uroi studentëve pjesëmarrës një eksperiencë unike kulturore dhe akademike, teksa shpresoi që pas përfundimit të këtyre kurseve, ata do të ndahen të kënaqur me planprogramet dhe njohuritë e fituara.

Në anën tjetër, prof. dr. Sherein Saied Abdelgayed, ligjëruese e kursit “Parimet e Epidemiologjisë për Shëndetin Publik“ informoi prorektoren Berisha me mbarëvajtjen e kursit, për të cilin u shpreh shumë e kënaqur. Ajo tha se studentët pjesëmarrës në këtë kurs kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme dhe që shpreson që bashkëpunimi i saj me UP-në të vazhdojë edhe në edicionet e ardhshme të UVP-së.

Edicioni i sivjetmë i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës ka sjellë në Prishtinë 344 studentë nga e mbarë bota, përfshirë edhe studentë nga vendet e largëta si: Argjentina, Ekuadori, Jordania, Nepali, Spanja, Arabia Saudite dhe Tunizia.