Prorektorja Basha Jakupi dhe prorektorja Breznica Selmani marrin pjesë në seminarin e kontaktit Erasmus+ në Tiranë
Prorektoret e Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arta Basha Jakupi dhe prof. assoc. dr. Pranvera Breznica Selmani, morën pjesë në seminarin e kontaktit më 21 dhe 22 qershor, i cili u organizua nga Agjencia Kombëtare Holandeze Erasmus+ (AKHE) në bashkëpunim me Zyrën Erasmus+ në Kosovë dhe zyrat Erasmus+ në rajon. Ky aktivitet u mbajt në Tiranë dhe u organizua nga Ambasada Hollandeze më 21 qershor.
Objektivat kryesore të këtij seminari ishin promovimi i rrjetëzimit dhe shkëmbimi i strategjive efektive për bashkëpunim ndërmjet Holandës dhe Ballkanit Perëndimor.
Delegacione nga institucionet holandeze të arsimit të lartë vizituan Tiranën gjatë këtyre dy ditëve për të shqyrtuar mundësinë e krijimit të bashkëpunimeve të reja me universitetet rajonale me qëllim shkëmbimin e stafit dhe studentëve përmes programit Erasmus+ (KA171 - Lëvizshmëri/ Mobilitet Ndërkombëtar i Kredive).
Së bashku me homologët e saj nga rajoni dhe Holanda, prorektorja prof. dr. Basha Jakupi mori pjesë në panelin e diskutimit dhe kontribuoi me njohuritë dhe përvojën e saj në fushën e internacionalizmit. Ajo diskutoi mbi strategjitë efektive të përdorura nga Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me universitetet holandeze dhe theksoi vlerën e programeve të shkëmbimit të stafit dhe studentëve në avancimin e arsimit të lartë dhe nxitjen e një mendësie ndërkombëtare midis institucioneve të arsimit të lartë.
Pjesëmarrja e prorektoreve prof. dr. Basha Jakupi dhe prof. assoc. dr. Breznica Selmani në seminarin e kontaktit Erasmus+ në Tiranë, tregoi përkushtimin e Universitetit të Prishtinës për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin e tyre.
Universiteti i Prishtinës dëshiron të falënderojë drejtoreshën, znj. Mimika Dobroshi, dhe Zyrën e Kosovës Erasmus+ për angazhimin dhe punën e tyre të palodhur në inkurajimin e shkëmbimeve të studentëve dhe stafit akademik përmes programit Erasmus+. Universiteti i Prishtinës shpreh bindjen se partneriteti i tij me Zyrën Kosovare Erasmus+ do të vazhdojë të japë fryte dhe të ndihmojë sistemet arsimore të zhvillohen në institucione moderne dhe konkurruese të arsimit të lartë.