Propozohen ide të reja për bashkëpunim në mes UP-së dhe Universitetit të Trakias, Turqi

Administrator Administrator 23 tetor 2020 Arkivuar

Rektori, prof. dr. Erhan Tabakoğlu, nga Universiteti i Trakias në Turqi, vizitoi dje Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u prit në takim nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti.

Gjatë këtij takimi, delegacioni i UP-së dhe delegacioni nga Universiteti i Trakias biseduan per thëllimin e bashkëpunimit në mes dy universiteteve, përfshirë këtu realizimin e një parku teknologjik të përbashkët në UP.

Rektori Sahiti u shpreh i lumtur që UP-ja ka partnerë të rëndësishëm si Universiteti i Trakias, me të cilin ka vite që kultivon bashkëpunim të ngushtë dhe të ndërsjellë.
“Ne kemi një bashkëpunim të mirë me ju, por edhe me universitete të tjera turke dhe shtetin turk në përgjithësi. Turqia ka dëshmuar që është mik i palëkundur i Kosovës, duke na qëndruar pranë në të gjitha sfidat,” theksoi rektori Sahiti.

Rektori po ashtu theksoi se do të angazhohet në implementimin e marrëveshjes për diplomë të përbashkët me Universitetin e Trakias, përmes Departamentit të Turkologjisë në UP.

Në anën tjetër, rektori Tabakoğlu shprehu gatishmërinë e universitetit që përfaqëson për të vazhduar tutje bashkëpunimin me UP-në.
“Ne kemi bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet shqiptare, por vendi i UP-së, si universiteti më i madh dhe më i rëndësishëm, është i veçantë te ne,” tha rektori Tabakoğlu, i cili e informoi rektorin e UP-së që, për ta nderuar Kosovën, në universitetin e tyre ata festojnë edhe Ditën  e Kosovës – 17 Shkurtin.

Aktualisht, nga Universiteti i Prishtinës në Universitetin e Trakias kanë shkuar për vijim të studimeve mbi 600 studentë.