Promovohet pulla postare e Universitetit të Prishtinës
Për nder të 50 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot është promovuar pulla postare me logon e këtij përvjetori.
Me rastin e këtij promovimi, rektori prof. dr. Marjan Dema tha se fati i UP-së lidhet pashmangshmërisht me fatin e popullit tonë, ashtu siç afër njëra tjetrës janë edhe dy datat e rëndësishme, të Ditës së Universitetit dhe të Pavarësisë së vendit tonë.
“Kjo pullë postare po vjen si rrjedhojë e vetë rëndësisë që Universiteti I Prishtinës ka për vendin. Unë mendoj që po aq pasuri sa kjo pullë postare është për Universitetin, ashtu është pasuri edhe për Posten një pullë e tillë postare, që mbi të gjitha, shënjon institucionin që për 50 vite i ka falë dritë këtij vendi”, tha rektori Dema.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i postës së Kosovës, z. Shefqet Avdija tha se ka kënaqësinë e veçantë të promovojë këtë pullë postare, e cila i dedikohet 50 vjetorit të UP-së.
“Jemi krenarë që kësaj radhe po e promovojmë pullën postare të një institucioni kaq të rëndësishëm, nga i cili për gjysmë shekulli dolën kuadro kaq profesionale, të cilat dhanë dhe vazhdojnë të japin kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit të Kosovës”, tha Avdija.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të “Javës së Universitetit”, javë e cila shënon festimet e këtij institucioni për nder të 50 vjetorit të themelimit të tij.