Profesori japonez Kohei Arai: Kosova dhe UP-ja janë shtëpia ime e dytë

Profesori japonez Kohei Arai: Kosova dhe UP-ja janë shtëpia ime e dytë

Administrator Administrator 9 korrik 2025 Arkivuar

Kohei Arai, profesor në Fakultetin e Shkencave dhe Inxhinierisë së Universitetit të Sagas në Japoni, i cili për herë të tretë është pjesë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, tha se është i gatshëm që ta ofrojë tërë dijen dhe përvojën e tij në fushën e teknologjisë së inteligjencës artificiale për UP-në dhe Kosovën.

Profesori Arai që bashkë me Arbnor Pajazitin, profesorin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, po mbajnë një kurs rreth mbledhjes elektronike të të dhënave dhe analizimit të tyre për bizneset, shpjegoi se e ardhmja akademike duhet të bazohet në bashkëpunim.

„Ne duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë ligjërata dhe punë kërkimore të përbashkëta, pasi përvoja ime lidhet me inteligjencën artificiale, ndërsa ai (prof.Pajaziti) është i specializuar në mekatronikë. Nëse bashkohemi, do të krijojmë një sinergji midis fuqisë së inteligjencës artificiale dhe mekatronikës”, tha profesori Arai. 

Kolegu i tij nga Universiteti i Prishtinës, prof. Pajaziti tha se gjithçka në ligjëratat e përbashkëta po shkon si është më së miri. „Ne kemi fatin që profesori Kohei Arai është për herë të tretë këtu në UP dhe po mundohet që ato të reja që kanë arritur në nivel ndërkombëtar t’i bartë këtu në UP”, tha prof. Pajaziti.

Ndërsa profesori Arai tregoi se është shumë i lidhur me Kosovën. „E dua Kosovën. Kosova është shtëpia ime e dytë, një vend shumë miqësor, sidomos Universiteti i Prishtinës”, tha profesori Arai.

Të dy profesorët folën edhe për hendekun mes gjeneratave dhe sfidat e mësimdhënies në kohën kur studentë të tyre janë brezi i „Gjeneratës Z”, të lindur dhe të rritur në epokën e internetit.

„Gjëja më e rëndësishme në arsim është motivimi. Motivimi kërkon elemente të reja, që janë interesante për këtë brez. Pastaj ky motivim duhet të lidhet me teknologjitë e reja dhe inteligjencën artificiale. Komunikoj vazhdimisht me studentët e ,Gjeneratës Z’, kështu që i kuptoj”, shpjegoi profesori Arai.

Arbnor Pajaziti tha se profesorëve të sotëm në mësimdhënie u ndihmojnë edhe mediat e reja ndërmjetësuese.

„E dimë se tani universiteti nuk është i vetmi burim i informacioneve për studentët. Mësimdhënia nuk është vetëm forma klasike siç ka qenë deri më tani, në njërën anë studenti e në tjetrën profesori. Kemi edhe media të ndryshme, gjatë ligjërimit ne i përdorim edhe mediat, pyesim edhe vegëza të caktuara dhe marrim informata të dorës së parë në nivel shumë më të lartë”, deklaroi prof. Pajaziti.

Të dy profesorët tashmë kanë krijuar një traditë bashkëpunimi dhe e kuptojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Profesori Pajaziti rrëfen se çfarë ka mësuar nga kolegu i tij i nderuar dhe kultura e tradita e pasur japoneze.

„Unë kam përvetësuar shumë, sepse së pari kultura e punës, serioziteti i punës te shteti japonez, te profesorët japonezë është e trashëguar me gjenerata edhe ato ndikojnë që për çdo punë të cilën zotohesh ta kryesh, ta respektosh edhe kohën, terminin, t’i respektosh edhe të tjerët për të arritur rezultatet që priten”, tha Arbnor Pajaziti.

Por, profesori Kohei Arai, pavarësisht që e do shumë Kosovën, nuk sheh asnjë ngjashmëri mes shtetit të tij të lindjes dhe vendit ku po ligjëron që tre vjet.

„Dy vende të ndryshme, me kulturë, natyrë, kushte sociale dhe sfida krejtësisht të ndryshme. Por këto dallime nuk na pengojnë për të krijuar një epokë të re bashkëpunimi”, tha prof. Arai.

Megjithatë, ai është plotësisht i bindur se Japonia e Kosova po ecin në të njëjtën rrugë.

„Kërkimi dhe ligjëratat e përbashkëta do të fuqizojnë të dyja vendet për të ecur drejt epokës së Industrisë 4.0 dhe Shoqërisë 5.0. Ne po lëvizim në të njëjtin drejtim. Pa dallime gjeneratash”, përfundoi profesori Kohei Arai.