Profesori Gunther i dhuron UP-së bibliotekën e tij prej 10.000 librash
10.000 librat e bibliotekës personale të profesorit Johann Gunther do të bëhen pjesë e bibliotekave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Kam përsëritur vullnetin tim që pas vdekjes sime t’ia dorëzoj Universitetit të Prishtinës bibliotekën time private”, ka thënë Gunther në një takim me rektorin e UP-së, prof. dr. Marjan Dema.
Kontributin e tij për UP-në, të nisur në vitin 2006, profesori Gunther po e vazhdon me dhurimin e kësaj biblioteke në formë të testamentit. (Kliko KËTU për testamentin)
“Mendoj se dhurimi i bibliotekës sime është një investim i mirë. Të gjitha universitetet e vjetra kanë biblioteka të mëdha dhe UP-ja duhet ta posedojë një të tillë”, ka thënë ai.
Librat e dhuruar janë në gjuhë të ndryshme të botës: anglisht, gjermanisht, shqip, arabisht, rusisht e gjuhë të tjera. Edhe përmbajtja e tyre është e larmishme. Ato i takojnë fushës së letërsisë, teknologjisë e komunikacionit, nga të cilat studentët do të përfitojnë njohuri të shumta. E nga kjo mori librash, e preferuara e profesorit është “Utopia” e autorit Thomas More.

Teksa rrëfen për mbresat që i ka lënë UP-ja, ai thotë se “zemra ime është pjesërisht atje.”
Profesor Gunther rrugëtimin për kontributin në Kosovë e nisi në vitin 2006, kur u kontaktua nga dr. Erhard Busek, me kërkesën që të kontribuojë si një ekspert i arsimit të lartë në Kosovë. Gunther mundësoi që 30 asistentë të UP-së të shkonin për studime PhD në Austri. Ai trajnoi personelin akademik të UP-së, duke ndihmuar kështu rritjen e cilësisë së arsimit të lartë publik në Kosovë. Listës së kontributeve të profesorit Gunther i shtohen edhe trajnimet, seminaret dhe punëtoritë e organizuara për profesorët dhe studentët tanë.
Ndonëse kaq shumë i dha universitetit dhe Kosovës, ai, pas katër vjetësh qëndrim, nuk u kthye duarbosh. Ai thotë se Kosova ia bëri të mundur të njohë miq të mirë dhe të shijojë ushqim të mrekullueshëm. E për studentët e UP-së, ai ka një porosi: “Njohuria është gjëja më e rëndësishme për brezat e rinj dhe kjo nuk fitohet vetëm në universitet apo në shkolla por gjendet edhe në libra tradicionalë e elektronikë”, ka thënë ai.
Për kontributin e dhënë ndër vite për UP-në si dhe për bibliotekën e dhuruar, Universiteti i Prishtinës i është mirënjohës profesorit Gunther.
“Kontributi i tij është i pashoq. Ai bën pjesë në listën e miqve më të mirë të universitetit dhe vendit tonë, për çka ne do t’i jemi falënderues përherë,” tha rektori Dema.
Aktualisht, profesori Gunther, në bashkëpunim me UP-në, është duke organizuar edicionin e 17-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore NETTIES, e cila ka për qëllim promovimin e inovacionit dhe teknologjisë për zhvillimin e vendit.