Profesori Agron Bytyçi i dhuron Rektoratit të UP-së portretin e Hasan Prishtinës
Në zyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës është vendosur piktura me portretin e heroit kombëtar shqiptar Hasan Prishtina.
Me porosi të rektorit, prof. Arben Hajrullahu, piktura është punuar dhe dhuruar për institucionin e lartë akademik të vendit nga profesori i Departamentit të Arteve Figurative në Fakultetin e Arteve të Bukura të UP-së, prof. Agron Bytyçi.
Piktori dhe profesori Bytyçi tha se ajo ndodhet pikërisht aty ku duhet, në vendin e dijes. Që nga viti 2022 profesori Bytyçi është profesor i rregullt i Fakultetit të Arteve, ndërsa ka ekspozuar pikturat e tij nëpër galeritë dhe hapësirat tjera artistike në Kosovë, Shqipëri, vende të ndryshme të Evropës dhe ShBA.
Hasan Prishtina ishte njëri nga personalitetet më të fuqishme kombëtare që një jetë të tërë luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, çlirimin e Kosovës dhe arsimimin e shqiptarëve.
Sivjet, për herë të parë, studentëve më të dalluar të UP-së në ditën e tyre dhe përvjetorin e protestave studentore të vitit 1997 iu nda çmimi „Hasan Prishtina”, në bazë të Rregullores për procesin dhe procedurën e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesve të titujve të nderit, çmimeve për studentët e dalluar dhe mirënjohjeve.