Profesorët e UP-së përzgjidhen ekspertë për vlerësimin e universiteteve ndërkombëtare
Prof. Ass. Dr. Rozafa Koliqi dhe prof. ass. dr. Dukagjin Zeka, profesorë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të bëjnë vlerësimin e institucioneve arsimore dhe programeve të tyre studimore, pasi janë përzgjedhur si ekspertë nga Academic Information Centre / Quality Agency for Higher Education.
Për të ardhur deri te kjo përzgjedhje, profesori Zeka thotë se nuk ka qenë rrugë e lehtë, por jo e paarritshme.
“Kjo na bën të ndihemi mirë për faktin se do të jemi pjesë e paneleve ndërkombëtare për vlerësim të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve studimore. Përveç që është nder për ne, kjo detyrë do të jetë mision personal për të dëshmuar ekspertizën tonë në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Profesorët janë përzgjedhur nga kjo agjenci në bazë të kritereve të kërkuara, duke bërë që për herë të parë dikush nga Kosova të bëhet pjesë e vlerësimit ndërkombëtar të arsimit të lartë.
Agjencia në të cilën profesorët tanë do të bëjnë vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë, akreditimin e drejtimeve të studimit dhe licencimin e programeve të studimit është anëtare e plotë e Regjistrit Evropian për Cilësi në Arsim të Lartë (EQAR) dhe Asociacionit Evropian për Sigurim të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).