Profesorët e Gazetarisë të UP-së trajnojnë mësimdhënësit e Kosovës për Edukim Medial

Administrator Administrator 12 shtator 2019 Arkivuar

Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar në tërë Kosovën po përgatiten me njohuri për mediat, konstruktimin medial dhe zhvillimin e gjykimit kritik në raport me përdorimin e mediave, nga një projekt i disa profesorëve të Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nga ky projekt i iniciuar nga disa profesorë të këtij departamenti dhe i përkrahur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës deri më tani janë trajnuar mbi 500 mësimdhënës.

Ligjëruesi në këtë departament, dr. Muhamet Jahiri, thotë se mësimdhënësit janë përzgjedhur për t’u trajnuar për shkak se janë ata që përgatitin fëmijët në raport me Edukimin Medial.

“Dijen e fituar në këtë drejtim mësimdhënësit e ndajnë me prindërit e fëmijëve dhe në këtë formë kontribuojmë më gjerësisht në shoqëri. Sot jemi dëshmitarë të një përdorimi masiv të mediave nga ana e fëmijëve andaj mësimdhënia dhe mësimnxënia për Edukimin medial duhet të realizohet në kuadër të shkollimit parauniversitar”, tregon Jahiri.

Sipas tij, efektet e trajnimit janë të menjëhershme, kështu duke u arritur edhe qëllimin i projektit.

“Ata e kuptojnë rëndësinë dhe nevojën që fëmijët të kenë njohuri për mediat, tashmë të cilët sipas mësimdhënësve janë përdorues të rëndomtë. Ata prezantojnë edhe efektet që kanë pasur mediat tek nxënësit e tyre dhe e shohin si të domosdoshme nevojën që ata të kenë lëndë mësimore për një gjë të tillë”, përfundon Jahiri.

E të nevojshme lëndën e Edukimit Medial në shkollat e Kosovës nuk e shohin vetëm mësimdhënësit, por edhe profesorët e gazetarisë, të cilët që nga viti 2010 janë angazhuar për këtë ide.

Projekti për përgatitjen e mësimdhënësve në lëndën e Edukimit Medial do të vazhdojë në të gjitha komunat e Kosovës.

UP, si institucion lider i arsimit të lartë në vend, përveç misionit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, me projekte të tilla ka për qëllim edhe shërbimin për komunitetin.