Prishtina dhe Kalabria më afër me memorandumin e bashkëpunimit në mes të universiteteve të tyre
Në ambientet e Universitetit të Kalabrisë në Itali, u bë nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit në mes këtij institucioni dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në këtë takim të pranishëm ishin rektorët e të dyja universiteteve, prorektorët, si dhe përfaqësues të stafit akademik dhe autoritete drejtuese të fakulteteve të Universitetit të Kalabrisë.
Në anën tjetër, delegacioni nga Universiteti i Prishtinës përbehej nga Rektori i UP-së, Marjan Dema, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare e UP-së, Teuta Pustina dhe dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova.
Qëllimi kryesor i nënshkrimit të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ishte promovimi dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Italisë. Në këtë mënyrë, të dyja universitetet u pajtuan që të ngrënë urat e bashkëpunimit me qellim kryesor promovimin e shkëmbimit të ndërsjellë akademik, kulturor, shkencor dhe personal.
Të dy rektorët shprehen vullnetin e tyre për jetësimin e kësaj marrëveshjeje sa më parë, në mënyrë që studentët e të dyja universiteteve të përfitojnë sa më shumë nga ky bashkëpunim.

Ky Memorandum i Mirëkuptimit ngrihet mbi tri shtylla kryesore të bashkëpunimit:
1. Shkëmbimi i personelit akademik për mësimdhënie dhe kërkime;
2. Shkëmbimi i studentëve dhe
3. Marrëveshje të tjera të lidhura me këto.
Memorandumi ka hyrë në fuqi që nga momenti i nënshkrimit.