Pilotohet përfshirja e teknologjive virtuale (AR/VR) në procesin mësimor në UP
Në kuadër të projektit Erasmus+ VTECH, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, është duke u punuar në përfshirjen e teknologjive virtuale (AR/VR), në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies në Universitetin e Prishtinës.
Sipas studentëve, kjo teknologji po iu mundëson atyre që ta shohin botën në një dimension tjetër. “Me anë të këtyre pajisjeve, patëm shansin ta shohim botën në një dimension tjetër. Realiteti virtual do të fillojë të masivizohet në shkencë dhe arsim të lartë, andaj është e pamundur t’i shmangemi impaktit që zhvillimi teknologjik do të ketë te ne,” tha studentja Rina Kukaj.
Falënderues për këtë përvojë ishte studenti Granit kuqi, i cili theksoi që njohuritë e tilla të fituara në këtë fazë të studimeve janë shumë të dobishme.
Rreth projektit VTECH, i cili ka mundësuar sjelljen e këtyre pajisjeve dhe përvojave në UP, foli edhe studenti i nivelit master Faton Mehmeti, i cili theksoi që falë mobilitetit që ka pasur në Gjermani, përmes programit Erasmus+, ai ka pasur mundësinë të familjarizohet me këto pajisje dhe ta japë kontributin e tij tani në këtë fazë të përfshirjes së këtyre teknologjive në UP.

Nga personeli akademik, një projekt i tillë u konsiderua si hap i rëndësishëm drejt ngritjes së cilësisë së mësimdhënies. “Besoj se një gjë e tillë do të ngritë shumë cilësinë e mësimdhënies dhe mënyrën e të kuptuarit të qartë të koncepteve nga studentët, përmes këtyre teknologjive”, theksoi Jeta Dobruna, asistente në FIEK.
Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje për Studentë, prof. asoc. dr Mimoza Ibrani, mori pjesë në disa aktivitete, në të cilat u eksploruan mundësitë e përfshirjes së teknologjive virtuale në procesin mësimor në UP. Ajo theksoi se aktivitetet e tilla, si pilotimi i teknologjive virtuale në realizimin e pjesës së mësimit në disa lëndë, avancojnë metodologjitë e mësimdhënies dhe mësimnxënies në dobi të studentëve, duke zhvilluar kompetencat praktike të studentëve dhe inkurajuar mësimin inovativ dhe aktiv. Një gjë e tillë kontribuon njëherësh edhe në përmbushjen e objektivave të përcaktuara në planin strategjik të universitetit.
Qëllimi kryesor i projektit VTECH është njoftimi me konceptin e teknologjisë virtuale në universitetet e Ballkanit Perëndimor, si një mundësi për të ngritur dhe shpejtuar modernizimin e universiteteve, duke kontribuar njëherësh në zhvillimin e shoqërisë së orientuar drejt dijes.