Pesë studentë të FIEK-ut, pjesë e shkëmbimit semestral në NTNU Gjøvik, Norvegji

Administrator Administrator 25 tetor 2018 Arkivuar

Besniku, Urani, Nehari, Gresa dhe Etniku janë pesë studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët aktualisht janë duke qëndruar në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë në Gjovik (NTNU Gjøvik), Norvegji.

Ata janë pjesë e shkëmbimit akademik për një semestër, realizuar në kuadër të programit Erasmus+.

Studentët shprehen shumë të lumtur me përvojën e tyre në universitetin partner. Për këtë, ata i janë shumë falënderues UP-së, Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë dhe profesoreshës Lule Ahmedi, për ndihmesën dhënë në këtë drejtim.

Nehar Jashari thotë se ky shkëmbim për të është një ndër përvojat më të mira që ka pasur, e cila ka ndikuar edhe në avancimin e njohurive të tij, në rrugëtimin si inxhinier i ardhshëm.
“Jam njohur me shumë koncepte të reja, metoda të zhvillimit të orëve të mësimit nga pedagogë të ndryshëm, si dhe më ka bërë përshtypje shumë të mirë mënyra se si ndiheshim ne si studentë në ambientet e NTNU-së, ku trajtoheshim me kujdesin më të veçantë,” thotë Nehari.

Për Gresa Dodajn, eksperienca në Gjovik ka ndikuar në avancimin e saj në fushën e kompjuterikes, e cila do t’i shërbejë që të sjellë risi në tregun e punës në Kosovë. Ajo i inkurajon studentët që t’i shfrytëzojnë këto mundësi, të cilat UP-ja, se bashku me partnerët, po i ofron për studentët.
“I inkurajoj të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë  programet e mobilitetit, të ofruara nga UP-ja, sepse në këtë mënyrë do të kenë mundësinë e përfitimit të përvojave të tilla, të cilat do të kenë ndikim shumë të mirë në karrierën e tyre në fushat përkatëse,” shprehet Gresa.

Eksperienca e deritanishme në Gjovik, ka qenë e tillë edhe për studentët Besnik Kelmendi, Uran Hajzeraj dhe Etnik Gashi.

Vetëm gjatë vitit 2018, mbi 200 studentë të UP-së kanë qenë pjesë e shkëmbimeve semestrale në universitete partnere ndërkombëtare.