Përfundon projekti "REPOWER", certifikohen studentët e UP-së që përfunduan praktikën e ciklit të gjashtë
Bukurie Hoxha, studente në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është njëra ndër studentët e certifikuar pas përfundimit të praktikës gjashtë mujore të mundësuar nga projekti "REPOWER" i USAID-it, UP-ja dhe kompanitë pjesëmarrëse.
“Kemi hasur në një pritje të ngrohtë në institucionet ku jemi angazhuar, si dhe kemi pasur rastin të mësojmë nga inxhinierë vendorë dhe ndërkombëtarë”, tregoi ajo.
Këta studentë kanë kryer praktikën me pagesë në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), në Zyrën e Rregullatorit Elektrik (ZRRE) dhe në Korporatën Energjetikë të Kosovës (KEK), për gjashtë muaj me radhë, duke pasur rastin që të praktikojnë teoritë e mësuara në fakultet.
Në këtë ceremoni të ndarjes së certifikatave mori pjesë rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili tha se ndjehet krenar kur sheh se studentët tanë arrijnë të krijojnë një karrierë profesionale e të jenë të dobishëm për shoqërinë.
“Jam i bindur që programi "REPOWER", përveç që në rend të parë iu ka shërbyer studentëve, i ka shërbyer edhe vetë institucioneve pjesë e të cilëve kanë qenë studentët, sidomos për faktin që sektori i energjisë në Kosovë është duke u ballafaquar qëmoti me problemin e punonjësve të moshuar”, tha Dema.
Të lumtur nga ky projekt, përveç studentëve, rezultuan të jenë edhe përfaqësuesit e kompanive, të cilët thanë që jo vetëm studentët, por edhe ata përfituan shumë nga ky program i praktikës. Ata potencuan që praktikantët gjatë kësaj periudhe treguan suksese të jashtëzakonshme, përkushtim dhe profesionalizëm.
Këta studentë ishin pjesë e ciklit të gjatë dhe të fundit të këtij programi, i cili u mundësoi atyre një përvojë profesionale të paharruar.