PËRFUNDOI TRAJNIMI I NIVELI TË AVANCUAR “PLANIFIKIMI DHE IMPLEMENTIMI I MËSIMDHËNIES NË ARSIMIN E LARTË” E ORGANIZUAR NGA QENDRA PËR PËRSOSMËRI NË MËSIMDHËNIE E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA”

Administrator Administrator 27 maj 2019 Arkivuar

Më 24 dhe 25 maj 2019, u mbajtë trajnimi i nivelit të avancuar  “Planifikimi dhe implementimi i mësimdhënies në arsimin e lartë” e organizuar nga Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Trajnimin dyditor të organizuar në hapësirat e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze të Fakultetit të Filologjisë dhe të realizuar nga trajnerët ndërkombëtarisht të certifikuar të QPM-së e vijuan 19 profesorë dhe asistentë nga njësi të ndryshme akademike të UP-së.  

Përmes këtij trajnimi, vijuesit i thelluan njohuritë e tyre për qasjet dhe teoritë e ndryshme bashkëkohore përkitazi me mësimdhënien dhe të nxënit, si dhe përmes punës praktike, i demonstruan aftësitë e tyre për zbatimin e njohurive të marra në nivelin bazik dhe të avancuar të trajnimeve me studentët e njësive të tyre akademike tyre në punën e tyre të përditshme mësimdhënëse. Vlerësimi i trajnimit nga pjesëmarrësit eshte tejet pozitiv me një mesatare prej 4.55, ndërkaq komentet dhe sugjerimet dhe kërkesat e vijuesve janë të vazhdohet me trajnime në një të ardhme të afërt përkunder faktit që ata tashmë i kanë vijuar dhe janë certifikuar në të dy nivelet. Kërkesa e pjesëmarrësve lidhet me kurset specifike, të cilat në fakt përputhen me orientimin dhe planet imediate të QPM-së.

Pjesëmarrësit, përveç që i vlerësojnë trajnimet e QPM-së si një mundësi tejet të vlefshme per t'u informuar dhe per t'u persosur ne shkathtësitë mësimdhënëse, e shohin edhe si një forum të domosdoshëm për t'u njohur me kolegë nga njësi të ndryshme akademike, për të këmbyer përvojat, për të diskutuar për vështirësitë dhe sfidat, por edhe për të gjetur mundësi për tejkalimin e tyre. 

Për shkak të interesimit të madh për trajnimet e QPM-së, Qendra jonë do të organizojë trajnimin për dy grupe shtesë: njërin në nivelin bazik dhe tjetrin në nivelin e avancuar. Këto trajnime do te realizohen javën e fundit të majit dhe kah mesi i qershorit.