Për herë të parë në ranglistën Scimago, UP-ja rangohet në vendin e 713 në botë
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ranguar në vendin e 713 në databazën e Scimago-s. Në këtë rangim, në të cilën UP-ja është institucioni i vetëm i Kosovës dhe i gjithë hapësirës shqiptare, rangohen 5637 institucione shkencore në botë. Nga të gjitha institucionet e renditura të Evropës Lindore, UP-ja është renditur në decilen e gjashtë, kurse nga institucionet botërore, UP renditet në centilen e 82-të.
Në garën e institucioneve të arsimit të lartë, në këtë ranglistë, ku prin Universiteti i Harvardit, UP-ja renditet i 563-ti në botë, duke lënë pas vetes universitete të shumta me renome botërore.

Linku për UP-në: https://www.scimagoir.com/institution.php?idp=70739
Ky është viti i parë, në të cilin UP-ja është pjesë e kësaj rangliste prestigjioze botërore.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, shprehet i lumtur për vlerësimin e punës së stafit akademik, gjë e cila ka rezultuar me renditjen e lartë të UP-së në databazat e njohura, siç është ajo e Scimago-s dhe Webometrics.
Rektori Dema për këtë sukses uron organet drejtuese, stafin akademik dhe administrativ, studentët e UP-së, qeveritarët dhe gjithë qytetarët.

Ndërkaq, për prorektorin për kërkime shkencore në UP, prof. dr. Faton Berisha, ky sukses i Universitetit të Prishtinës i tejkalon pritjet e tij për arritje shkencore gjatë mandatit të menaxhmentit aktual të UP-së, me në krye profesor Demën, veçanërisht për nga aspekti i kualitetit të kërkimeve shkencore.
Rangimin e lartë të UP-së në databazën e Scimagos, e përshëndetën edhe zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti dhe shefi i Programit të Transformimit të Lidershipit – Bursave dhe Partneriteteve, World Leaning, z. Carl Hammerdorfer. Ata uruan menaxhmentin e UP-së për suksesin e shënuar.
Databaza Scimago metodën e renditjes e ka kryesisht të bazuar në punimet e publikuara dhe të indeksuara në databazën e njohur Scopus. Për këtë, ky sukses i Universitetit të Prishtinës, është njëri ndër sukseset më të mëdha të shkencës në vendin tonë viteve të fundit.
