“Peace Café” në Universitetin e Prishtinës: Dialog ndërmjet të rinjve për sfidat e paqes digjitale

“Peace Café” në Universitetin e Prishtinës: Dialog ndërmjet të rinjve për sfidat e paqes digjitale

Administrator Administrator 31 mars 2026

Në kuadër të angazhimeve për promovimin e dialogut konstruktiv dhe adresimin e sfidave bashkëkohore në hapësirën digjitale, më 25 mars 2026, në Universitetin e Prishtinës u organizua aktiviteti “Peace Café”.

Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit „Youth-Led Digital Peacebuilding to Counter Online Radicalization”, i financuar nga RYCO - Regional Youth Cooperation Office, me synimin për të krijuar një hapësirë të hapur dhe gjithëpërfshirëse për diskutim ndërmjet të rinjve mbi çështje që lidhen me paqen digjitale dhe sfidat e radikalizimit online.

Ngjarja u zhvillua në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Karrierës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani”, duke mbledhur studentë dhe pjesëmarrës të interesuar për të kontribuuar në ndërtimin e një diskursi pozitiv dhe të përgjegjshëm në hapësirën online.

Organizimi i aktivitetit u mbështet nga studentët organizatorë Lendita Humolli (master, viti i parë, Filozofi Politike - Fakulteti Filozofik) dhe Ylli Rakipi (viti i katërt, Punë Sociale - Fakulteti Filozofik), të cilët kontribuuan në realizimin dhe mbarëvajtjen e tij.

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime interaktive, ku u trajtuan tema të rëndësishme si ndikimi i radikalizimit në rrjetet sociale, roli i të rinjve në promovimin e paqes, si dhe mënyrat konkrete për ndërtimin e një komunikimi të shëndetshëm dhe të përgjegjshëm në platformat digjitale.

Kontribut të veçantë në diskutim dhanë studentët Ilirjada Fejza (viti i katërt, Shkenca Politike - Universiteti i Prishtinës), Era Bujupaj dhe Edison Sylejmani të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi rëndësinë e ndërtimit të një hapësire digjitale më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu, pjesëmarrëse aktive në diskutim ishte edhe Erza Uka (viti i katërt, Gjuhë dhe Letërsi Angleze - Fakulteti Filologjik), e cila kontribuoi me reflektime mbi rolin e komunikimit në ndërtimin e një ambienti pozitiv online.

Aktiviteti vijoi me një sesion rrjetëzimi në një ambient joformal, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësi për shkëmbim idesh dhe krijim lidhjesh bashkëpunimi.

Ky aktivitet synoi të fuqizojë rolin e studentëve si aktorë aktivë në promovimin e paqes dhe në kundërshtimin e përmbajtjeve radikalizuese në hapësirat digjitale, duke nxitur mendimin kritik dhe angazhimin qytetar.

Z. Burim Korça - Drejtor Ekzekutiv dhe trajner në Institutin për Paqe dhe Siguri, theksoi se “Diskutime të tilla janë thelbësore për të rritur vetëdijen e të rinjve mbi ndikimin e tyre në hapësirën digjitale dhe për t’i fuqizuar ata si promotorë të paqes”.

Erza Uka tregoi se aktiviteti ndihmoi për krijimin e një hapësire më të sigurt online. “Ky aktivitet më dha një perspektivë të re mbi mënyrën se si mund të kontribuojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe pozitiv online,” tha Uka.

Edison Sylejmani tha se „Ishte një përvojë shumë e vlefshme që më ndihmoi të kuptoj më mirë sfidat e radikalizimit dhe rëndësinë e dialogut të hapur”.

Aktivitete të tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Universitetit të Prishtinës për të promovuar vlera demokratike, dialog ndërkulturor dhe zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë nëpërmjet edukimit dhe angazhimit aktiv të studentëve.

Ky aktivitet është zbatuar nga Institute for Peace and Security / Instituti për Paqe dhe Siguri dhe mbështetur nga RYCO - Regional Youth Cooperation Office.