No Fake News – iniciativa e studentëve të UP-së për parandalimin e lajmeve të rreme

Administrator Administrator 30 gusht 2020 Arkivuar

Me përhapjen e virusit SARS-CoV2, në sferën e informimit virutal është intensifikuar qarkullimi i lajmeve të rreme. Duke parë nevojën e kohës për informim të saktë, një grup studentësh i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar punën në krijimin e portalit No Fake News.

Iniciatorja e këtij portali, studentja Olta Abazi tregon se me anë të kësaj plaforme synojnë të minimizojnë lajmet e rreme, duke ndihmuar kështu në informimin e drejtë të qytetarëve.
“Kjo platformë ka për qëllim që në mënyrë sa më të thjeshtë për përdoruesit (pavarësisht moshës dhe shkollimit), të mundësojë filtrimin dhe identifikimin e lajmeve të rreme, të cilat dukshëm po shtohen dhe shpërndahen si lajme nëpër media sociale dhe në portale të ndryshme informative”, thekson Olta, studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Olta shton së studimi në UP ka qenë bazë shumë e mirë për zhvillimin e kësaj platforme, teksa flet për bashkëpunimin e fakulteteve në realizimin e portalit No Fake News.
“Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Kompjuterike kanë ndërtuar sistemin, zhvilluar platformën, drejtuar programin, si dhe e kanë lansuar portalin në publik, ndërsa 8 studentë te gazetazisë bëjnë azhurnimin e portalit me lajme në baza ditore. Pjesë e kësaj platforme janë edhe disa studentë të Fakultetit të Ekonomik, të cilët merren kryesisht me menaxhim dhe planifikim të operacioneve”, tha Olta. 

Kontribut në luftimin e lajmeve të rreme është dukë dhënë edhe studentja Erza Elezaj, e cila thotë që për këtë iniciativë është informuar nga profesorë të saj. Ajo thekson që eksperienca në këtë portal është mjaft e dobishme, për faktin që ajo studion gazetari dhe me anë të asaj që ka mësuar, e ka të lehtë verifikimin e lajmeve të rreme.

Në krijimin e portalit No Fake News u angazhuan studentë të dalluar të Universitetit të Prishtinës. Aktualisht 80% e ekipit punues në këtë portal janë studentë të UP-së.

Portalin e studentëve për luftimin e lajmeve të rreme e gjeni në linkun: no-fakenews.com.