Njoftim mbi vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për tërheqjen e akreditimit të programeve të studimit

Administrator Administrator 30 janar 2019 Arkivuar
  1. Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA) me datë 18.01.2019, i ka njoftuar në formë elektronike Universitetet Publike të Kosovës, për vendimet e marra nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Në mbledhjen e mbajtur me datë 15 dhe 16 janar 2019, KShC-ja ka tërhequr akreditimin për shumë programe studimore të universiteteve publike, posaçërisht të universiteteve të reja publike (40% të programeve që përfshijnë përafërsisht 70% të studentëve). Të gjitha programet të cilave ju është tërhequr akreditimi, përkatësisht janë mbyllur, kanë akreditim valid.
  2. Mbyllja e programeve të akredituara nga AKA është arbitrar dhe antiligjore, pikërisht në kundërshtim me nenin 21 Udhëzimit Administrativ të MASHT nr. 15, 2018.
    1. Neni 21, prg. 2 përkufizon se akreditimi mund t’i merret një programi vetëm nëse ai ka dështuar të realizojë kushtet e akreditimit, e kjo nuk ka ndodhur me programet studimore.
    2. Neni 21, prg. 4 përkufizon procedurën e marrjes së akreditimit nga ana e AKA, vetëm pas një raporti vlerësues të ekipit të ekspertëve të jashtëm, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e Universiteteve Publike.
  3. AKA ka aplikuar standarde shtesë, të cilat nuk janë paraparë në momentin e akreditimit.
    1. Në UA nr. 15, 2018, neni 26, prg. 5.3.4 parashihet që për çdo 60 ECTS kredi të programit studimor, institucioni i lartë arsimor të ketë një profesor me marrëdhënie të rregull pune me titull PhD nga fusha e programit të studimit. Ky standard është imponuar automatikisht për të gjitha programet studimore, pra edhe për ato që kanë pasur akreditim para vitit 2018. Si pasojë, universitetet janë detyruar që në programet e studimit katër (4) vjeçare edhe pse janë akredituar me nga tre (3) profesorë, deri më 1 tetor 2018 të bëhen nga katër (4) profesorë. Ky imponim joligjor e ka çekuilibruar shpërndarjen e duhur të stafit akademik nëpër programe studimore.
      Standardet e reja mund të kërkohen për programet e reja në akreditim dhe ri-akreditim, por jo në programet e akredituara.
  4. AKA ka dështuar në përkufizimin e fushave studimore të programeve dhe të afatit akademik, duke aplikuar një qasje dogmatike të pashembullt për arsimin e lartë modern. Disa fusha studimi janë interdisiplinare, si Programi Parashkollor dhe Programi Fillor, në të cilat fushat kryesore studimore janë: gjuhë dhe letërsi shqipe; pedagogji; matematikë, psikologji etj. Ndërsa AKA ka mbyllur programet studimore të edukimit me argumentin e gabuar se profesori me fushë studimore filologji (gjuhë dhe letërsi) nuk është fushë studimore e edukimit. (Ashtu si shihet nga reagimi i AKA ndaj Deklaratës së Konferencës së Rektorëve të datës 24 janar 2019).
    Në momentin e akreditimit të programeve tona ekspertët kanë vlerësuar se fushat studimore të programeve dhe ato të stafit akademik janë në harmoni. AKA nuk ka kompetencë ligjore ta ndryshojë vlerësimin e Ekipit të Ekspertëve pa një vlerësim tjetër të ekspertëve.
  5. AKA në periudhën e rishikimit vjetor të institucioneve të arsimit të lartë nuk ka bashkëpunuar me universitetet publike. Në komunikimin paraprak, asnjë herë AKA nuk i’u ka tërhequr vërejtjen për dyshime të ngritura rreth programeve studimore. Kjo është e pazakonshme, si nga aspekti procedural-ligjor, ashtu edhe nga aspekti i traditës së mirë të bashkëpunimit të deri tashëm.
  6. Me këto qasje, AKA ka marrë vendime antiligjore dhe tendencioze ndaj universiteteve publike. Kjo na bën që ne të kundërshtojmë në të gjitha format ligjore deri në ndryshim të plotë të këtyre politikave anarkiste dhe anti-arsimore me të cilat udhëhiqet AKA.

Klikoni KËTU për dokumentin zyrtar në shqip.
English: Notification from Rectors Conference about SQC decision