NJOFTIM LIDHUR ME ECURINË E PROCESIT TË NDËRTIMIT TË OBJEKTIT TË FAKULTETIT TË SHKENCAVE MATEMATIKE - NATYRORE
Me anë të këtij njoftimi, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” informon studentët, stafin dhe të gjitha palët e interesuara lidhur me ecurinë e deritashme të procedurave për ndërtimin e objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore në UP.
Përkundër faktit qe deri në këtë moment rezultatet e këtij objektivi nuk janë ato të cilat me angazhimin tonë i kemi synuar, kërkesat e UP-së drejtuar Komunës së Prishtinës për definimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të FSHMN-së datojnë shumë më herët se informimi që kemi pranuar nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht nga kryetari i komunës, z. Shpend Ahmeti, të përcjellë me datë 12/03/2018 (Kliko KËTU për dokumentin). Dokumenti i lartpërmendur është i pari dokument zyrtar që kemi pranuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me caktimin e lokacionit të objektit të FSHMN-së.
Menjëherë pas pranimit të dokumentit të lartpërmendur, menaxhmenti i universitetit ka mbledhur ekspertët e fushës së katedrës së Planifikimit dhe Urbanizmit për ta punuar planin rregullues urban, meqenëse zona e Fakultetit Teknik nuk e ka një të tillë, e për të cilën tanimë Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte dhënë pëlqimin e tij.
Meqë pozita e propozuar nga Kuvendi Komunal për objektin e FSHMN-së u konsiderua e papërshtatshme, ekspertët e angazhuar bënë një propozim për zgjerim të lokacionit dhe përfshirjen e disa fakulteteve tjera, me idenë e shndërrimit të zonës së Fakultetit Teknik në kampus të ri të UP-së.
Projekt-propozimi i hartuar nga komisioni i përbërë nga ekspertët e katedrës së Planifikimit dhe Urbanizmit u pranua dhe kaloi me shumicë votash në Kuvendin Komunal të Prishtinës më datë 05/02/2019, ku u mor vendim për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen “Bregu i Diellit” (Kliko KËTU për vendimin). Menjëherë pas kësaj, komisioni i emëruar nga menaxhmenti i UP-së filloi punën për hartimin e planit rregullues të hollësishëm për zonën te Fakulteti Teknik në lagjen “Bregu i Diellit”, për të gjitha fazat.
Plani rregullues i hollësishëm me të gjitha fazat është dorëzuar me datë 30/09/2019 në drejtorinë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës. Aktualisht, UP-ja është në pritje që projekti i dorëzuar të dalë në diskutim publik dhe në fund Kuvendi Komunal të votojë për lejimin e tij, duke e bërë të mundur jetësimin e projektit të planifikuar vite më parë, për të cilin menaxhmenti i UP-së s’ka reshtur së angazhuari që nga marrja e detyrës.
Menaxhmenti i UP-së vazhdon të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë të interesuarit që të informohen me hapat që kemi marrë dhe do të merren në vijim me qëllim ndërtimin e objektit të FSHMN-së për studentët dhe stafin tonë. Ndërtimi i këtij objekti ka qenë dhe do të mbetet prioritet i këtij menaxhmenti, për realizimin e te cilit shpresojmë që do të kemi bashkëpunimin e nevojitur nga institucionet e tjera përgjegjëse.