Një delegacion nga tri universitete skandinave vjen në UP për rritje bashkëpunimi

Një delegacion nga tri universitete skandinave vjen në UP për rritje bashkëpunimi

Administrator Administrator 26 shtator 2025 Arkivuar

Profesorë nga universitetet Linnaeus, Oulu dhe NTNU të Suedisë, Finlandës e Norvegjisë erdhën në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të shikuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit.

Profesorët Jari Laru nga Universiteti Oulu, Deepti Mishra, Ali Shariq Imran e Akshara Pande nga Universiteti NTNU e Fisnik Dalipi nga Universiteti Linnaeus, të shoqëruar nga prodekania e Fakultetit të Edukimit, profesoresha Kyvete Shatri dhe profesoresha e këtij fakulteti, Krenare Pireva-Nuçi, njëkohësisht koordinatorja e projektit TKAEDITE, u pritën nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

Prorektorja Basha tha se Universiteti i Prishtinës është i interesuar të bashkëpunojë me universitetet skandinave në fushën e transformimit digjital dhe në vazhdimësi synon ta rrisë pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare.

Në takim u fol edhe për nënshkrimet e mundshme të memorandumeve të mirëkuptimit për fushat me interes të përbashkët dhe për partneritet në lidhje me mjetet e inteligjencës artificiale, aftësimin për përdorimin e tyre dhe krijimin e një kornize ligjore që rregullon këtë përdorim.

Gjithashtu u përmendën edhe programet e përbashkëta të studimeve me diplomë të dyfishtë, shkëmbimi i studentëve e profesorëve me programin Erasmus dhe bashkëpunimi në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.

Fakulteti i Edukimit tashmë bashkëpunon me këto universitete, ndërsa përveç me këtë fakultet, Universiteti Linnaeus i Suedisë ka projekte të përbashkëta edhe me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Profesorët e nderuar po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e projektit „Transformimi i Sistemit Arsimor në Kosovë dhe Shqipëri duke Përdorur Teknologji Digjitale në Edukimin e Mësuesve" (TKAEDITE) që synon të mbështesë nxënësit dhe mësimdhënësit në Kosovë dhe Shqipëri në procesin e transformimit digjital në të gjithë sistemin arsimor. Projekti bashkëfinancohet nga BE-ja dhe programi Erasmus+ dhe koordinohet nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës.